Hapet tenderi për pjesën e parë të ‘Rrugës A’ në Prishtinë

05 tetor 2022 | 17:27

Komuna e Prishtinës njofton se ka hapur tenderin për pjesën e parë të projektit “Rruga A” e që pritet të kushtojë 9.5 milionë euro. Sipas prokurimit publik, afati për dorëzimin e ofertave është deri më 7 tetor, ndërsa tenderi është me procedurë të hapur, shkruan “Telegrafi”.

Në dosjen e tenderit të gjithë operatorët që marrin pjesë për kryerjen e punimeve duhet t’i ofrojnë 50 punëtorë. “Minimum 50 punëtorë, dy referenca për punët e mëparshme në lëmin e kërkuar të lëshuar nga punëdhënësit për udhëheqësin e punishtes”, thuhet në dosje.

Po ashtu, aplikuesit në tender duhet të ofrojnë dëshmi të kënaqshme se qarkullimi vjetor gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë prej jo më pak se 19 milionë euro dhe se kanë përfunduar me sukses kontrata të ngjashme.

“Operatori ekonomik duhet t’i ofrojë dëshmi të kënaqshme Autoritetit Kontraktues se qarkullimi vjetor i operatorit ekonomik gjatë tri viteve të fundit fiskale ka qenë prej jo më pak se 19,000,000.00 euro. Lideri i grupit të operatorëve duhet të përmbushë 60 për qind të kapacitetit ekonomik dhe financiar”, thotë njoftimi.

Projekti për ndërtimin e “Rrugës A” do të kryhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Po ashtu, bashkë me këtë projekt do të ndërtohet edhe kolektori i ujërave të zeza.

Komuna e Prishtinës ditë më parë kishte miratuar buxhetin prej 105 milionë eurosh për vitin 2023 e që mbi 40 milionë euro janë paraparë për projekte të investimeve kapitale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, bashkë me nënkryetarin…