Haradinaj, drejtuesve të Klinës: Qeveria të jetë afër jush

25 qershor 2018 | 17:00

Klina është një vend i respektuar, pasuri e vlerave tona kombëtare, e trashëgimisë, tolerancës, që është për t’u çmuar dhe unë si drejtues i Qeverisë, ndjej obligim që Qeveria të jetë afër jush.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj pas vizitës që ka bërë në Komunën e Klinës, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj me bashkëpunëtorë.

“Qëllimi i ardhjes sime, është që Qeveria dhe Komuna, të mund të jemi më të saktë në veprimet që i ndërmarrim mes vete. Shumë veprime qeverisëse janë kryekëput kompetenca të Komunës, por që shumë të tjera tejkalojnë këtë kapacitet”, ka thënë Haradinaj.

I shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kryeministri Haradinaj ka thënë se me kryetarin Elezaj ka biseduar për temat që i preokupojnë qytetarët e Klinës siç është uji i pijes, ujërat e zeza, infrastruktura e cila duhet të trajtohet me kujdes.

“Është edhe miniera e Boksitit e cila nëse aktivizohet është resurs që hap vende të punës dhe ndikon në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se një pjesë e projekteve janë në kapacitet të komunës, por ka edhe projekte që e tejkalojnë këtë kapacitet.

“U zotuam se disa projekte infrastrukturore, memorandume që janë arritur me komunën do të zbatohen në projeksionet e ardhshme buxhetore”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se kanë marrë përkrahjen e plotë nga Haradinaj për çështjet kryesore që e preokupojnë Klinën siç është furnizimi me ujë të pijes, trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturën dhe probleme tjera.

Në kuadër të vizitës në Klinë, kryeministri Haradinaj ka zhvilluar një takim edhe me drejtorët e drejtorive dhe asamblistët komunal.

Në këtë takim është biseduar edhe për sektorin e bujqësisë, shëndetësinë, arsimin, për dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës të cilat do të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik, zonë industriale dhe për fusha të tjera me rëndësi për Komunën e Klinës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Uruguai ka qenë bindës ndaj Rusisë në pjesën e parë,…