Haradinaj: Jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me ShBA-në

12 mars 2018 | 16:58

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ndihmëssekretarin e Shtetit të ShBA-së për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet politike në vend, mbështetja që ShBA-ja është duke dhënë në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Haradinaj ka falënderuar ndihmëssekretarin Mitchell për ndihmën e pakursyer të ShBA-së, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Mbështetja që ShBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën, e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me ShBA-në”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria që ai drejton është e fokusuar në zbatim dhe prioritet e ka zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë takim, po ashtu është biseduar për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndërsa ndihmëssekretari i Shtetit të ShBA-së për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, ka rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në rritjen ekonomike.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),…