Haradinaj: Kosova e përkushtuar për partneritet strategjik me Kroacinë

28 maj 2018 | 12:02

Bashkëpunimi politik, fuqizimi bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe ndërtimi i raporteve të mira fqinjësore, ishin disa nga temat që kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka biseduar në takimin e sotëm që ka zhvilluar me Grupin e Miqësisë së Mirë Kosovë – Kroaci, të kryesuar nga Andrija Mikuliq.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kroacia është partner politik dhe strategjik i Kosovës dhe gjithashtu është një shembull i mirë për t’u ndjekur në fushën e integrimeve euroatlantike.

“Mbështetja e shtetit kroat është shumë e rëndësishme për fazën në të cilën gjendet Kosova, në rrugën e integrimeve, liberalizimit të vizave, njohjet e reja, si dhe anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO. Me popullin dhe shtetin kroat na lidhin shumë gjëra të përbashkëta nga e kaluara, por edhe për të ardhmen”, është shprehur Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj nga delegacioni kroat ka marrë mbështetje edhe për përkrahjen e Kosovës në agjendën evropiane.

Në këtë takim është diskutuar edhe për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik të përbashkët Kosovë-Kroaci.

Ndërsa Andrija Mikuliq, kryesues i Grupi i Miqësisë së Mirë Kosovë – Kroaci, ka falënderuar popullin e Kosovës për mbrojtje dhe ndërtimin e shtetit kroat në kohën kur Kroacisë i duhej ndihma e të tjerëve si dhe ka shprehur qëndrimin e palëkundur karshi Kosovës, për rrugën e saj euroatlantike.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli dhe ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edicioni i 88 i turneut të dytë Grand Slam të…