Haradinaj: Në strategjinë për Zgjerim të BE-së, Kosova trajtohet në mënyrë asimetrike

06 shkurt 20:24

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka një varg arritjesh të cilat do të duhej të njihen dhe pranohen nga Bashkimi Evropian.

Por sipas kreut të Qeverisë, në strategjinë për Zgjerim të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të publikuar sot nga Komisioni Evropian, Republika e Kosovës trajtohet në mënyrë asimetrike, pa qartësi për të ardhmen e saj evropiane, duke renditur vetëm kushtet dhe jo stacionin e Kosovës.

“Republika e Kosovës ka një varg arritjesh, të cilat do të duhej të njihen dhe pranohen nga Bashkimi Evropian si përkushtim serioz për avansim thelbësor në rrugën evropiane të shtetit tonë. Me Qeverinë e re, Kosova ka implementuar shpejtë dhe me efikasitet prioritetet kyçe të listuara në Agjendën e Reformave Evropiane (ERA 2017), dhe kështu ka bërë progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kritereve të përgjithshme të MSA-së. Qeveria e Kosovës ka pritur që ky progres të jetë i mjaftueshëm për të qartësuar rrugën që ka Kosova para vetes për të fituar statusin kandidat, ashtu siç ishte me të gjitha shtetet tjera të rajonit, dhe Strategjia e Zgjerimit të jetë mundësi dhe udhërrëfim i barabartë për të gjithë, e jo vetëm të listojë kriteret pa i renditur rezultatet e arritura”, ka shkruar Haradinaj, në një postim në faqen e tij në “Facebook”.

“Derisa ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara nesh, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë politikë të qartë ndaj Kosovës, në mënyrë që të avansojë procesin e saj të integrimit, dhe të mos rrezikohen të arriturat tona të përbashkëta për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon. Këto janë edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, të cilët presin nga Bashkimi Evropian trajtim të barabartë si për të gjithë qytetarët evropianë”.

Megjithëkëtë, sipss Haradinajt duhet theksuar përkushtimin e qartë të Kosovës për implementim efikas të MSA-së, seriozitet në forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve përkatëse, dhe fqinjësi të mirë.

“Viti 2018 do të duhej të jetë viti kur Kosova me punën dhe përkushtimin e saj, e fiton statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, ka përfunduar kryeministri i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Festivali i Këngës italiane “Sanremo 2018” nis sonte në mbrëmje.…