Haradinaj: Nuk ka kuptim të flasim për zgjedhje të reja

19 nëntor 2019 | 15:49

Kryeministri në detyrë dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë kuptim që tani të flitet për zgjedhje. “Me rëndësi është që zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk duhet ta harrojmë këtë fakt. Ne duhet të bëjmë reformë zgjedhore dhe ta shkurtojmë kohën e ankesave, pra baza ligjore për ankesa duhet të ndryshohet”.

“Nuk kemi bërë ankesa dhe as nuk kemi kërkuar stërzgjatje të këtij procesi. Jemi për implementim të rezultatit zgjedhor. Është herët të flasim për zgjedhje të reja, pra duhet të rrimë në pozicionin e implementimit të rezultatit zgjedhor”, është shprehur Haradinaj në një konferencë për medie pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Lorenzo Guerini.

Haradinaj ka thënë se qeveria e re duhet të krijohet duke u bazuar në rezultatin zgjedhor të 6 tetorit.

“Nuk ka kuptim që të flasim për zgjedhje tash. Zgjedhjet nuk janë një ushtrim aq i thjeshtë dhe aq i lehtë. Ne duhet të respektojmë gjithë atë që ka ndodhur sepse sovrani është deklaruar. Duhet të flasim për implementim dhe nëse dështon implementimi, atëherë kuptohet që duhet të shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë me…