Haradinaj: Nuk ligemi nga gjykatat, bota na trajton si treg

13 prill 2019 | 19:46

Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndalur pasditen e së shtunës edhe në Kaçanik ku i ka takuar strukturat e partisë së tij.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, Haradinaj deklaroi se e pranoi detyrën e të parit të qeverisë që ta udhëheqë vendin në procese të rëndësishme.

Duke folur për sektorë të ndryshëm, kryeministri tha se fillimisht i kishte kushtuar vëmendje sigurisë duke u kujdesur për Policinë e Kosovës, duke krijuar ushtrinë dhe duke marrë masa për të forcuar gjyqësinë.

Ai tha më theksoi se fokusi i tij ka kaluar tek ekonomia, sidomos prodhimi. Shefi i ekzekutivit kosovar tha se janë marrë disa vendime të rëndësishme për prodhuesit që më parë nuk janë lejuar të merren.

“Me ne ka udhëhequr bota, na nuk e kemi udhëhequr veten. E tani imagjinoni kushdo që ka ardhur tek ne, ai ka lakmuar që malli i vendit të tij me u shit këtu. Neve na kanë parë si treg, edhe na kanë trajtuar si treg. Edhe në botë ende na trajtojnë si treg. Nuk kanë dëshirë ne të prodhojmë energji prej qymyrit tonë, por me e ble diku”, ka thënë ai.

Duke u ndalur në raportet me vendet mike të Kosovës, Haradinaj tha se partnerët duhet ta mësojnë të vërtetën pasi që sipas tij, vetëm kështu raportet dhe miqësia nuk do të vihet në dyshim.

Ai pranoi se me Bashkimin Evropian janë disa sfida, të cilët po punojnë për t’i tejkaluar, ndërsa paralajmëroi se liberalizimi i vizave do të vijë së shpejti.

Kryeministri gjithashtu tha se ka pasur kërkesa ndaj vende të tjera që të lëshojë viza pune për kosovarët.

Haradinaj u shpreh se është për ta bërë Kosovën shtet dhe për t’i treguar të gjithëve në rajon se mund të punojmë së bashku vetëm si shtete, pasi sipas tij, ka kaluar koha kur Kosova ka pranuar detyra nga të tjerë. Ai shtoi se nuk frikësohen as nga gjykatat.

“Unë jam që t’i kryej punët e këtij vendi edhe jam për me e bë Kosovën tamam shtet, dhe për t’i treguar të gjithëve në rajon se si shtet mund të punoni me ne. Ka shkuar koha kur dikush na ka dhënë detyra, ka shkuar koha që na nënshtruan sa herë që ju ra në mend, nuk mund të na ligni as me këto gjykata as me diçka tjetër çka do qoftë, këtij vendi jemi edhe duam t’i kryejmë punët e vendit”, vijoi Haradinaj, transmeton “kp”.

Kryeministri ka ftuar kaçanikasit që të mos heqin dorë nga puna e tyre për të ndihmuar vendin. Ai shprehu besimin se një ditë, kosovarët do të largohen nga vendet perëndimore dhe do të kthehen në vendin e tyre për të punuar.

Në këtë takim foli edhe kryetari i degës së AAK-së në Kaçanik, Hajrush Kurtaj, i cili lavdëroi punën e kryeministrit Haradinaj në krye të qeverisë së Kosovës.

Më pas, kreu i AAK-së, Haradinaj, iu shpërndau librezat e partisë rreth 90 anëtarëve të rinj të cilët kanë kaluar në AAK-në e Kaçanikut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me mijëra njerëz janë mbledhur për të protestuar pasditen e…