Haradinaj, prokurorit: Kishit mundësi ta kapnit personin që sillte dokumentet

13 janar 2022 | 13:06

Edhe sot në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj nënkryetarit të OVLUÇK-së, Nasim Haradinaj.

Ai është pyetur nga prokurori nëse ka qenë në dijeni se dokumentet të cilat ishin sjell në zyrat e OVLUÇK-së, e pastaj që ishin bërë publike nga zyrtarët e kësaj organizate, ishin sekrete.

Haradinaj ka thënë se asnjëherë nuk u është konfirmuar se dokumentet në fjalë ishin sekrete, edhe pse ata kishin kërkuar nga hetuesit një gjë të tillë.

“Ne ju kemi pyetur edhe dy herët e para, por edhe të tretën, nëse këto dokumente janë sekrete. Asnjëherë nuk kemi marrë konfirmim se këto dokumente janë sekrete, na është thënë se janë të ndjeshme, disa prej juve nuk e kanë ditur as a janë sekrete apo jo, na kanë thënë se nuk janë”, ka deklaruar Haradinaj.

Tutje, Haradinaj i është drejtuar prokurorit të Speciales duke i thënë se nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar në Kosovë do të kishte dëshirë të kapte personat që sillnin dokumentet e Speciales në zyrat e OVLUÇK-së, e kanë pasur atë mundësi.

“Ju nëse kishit dashur keni mundur t’i kapeni këta persona që i sillnin dokumentet te ne. Veç dy persona po t’i kishit lënë aty tek zyrat, e kishit kapur personin e dyshuar, por nuk keni dashur. Ndoshta do të ishit befasuar edhe ju. Sa na keni përcjell neve keni pasur mundësi të përcillni personat e dyshuar për sjelljen e dokumenteve”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se personi që kishte sjell dokumentet herën e parë në zyrat e OVLUÇK-së, kishte paralajmëruar edhe dokumente të tjera, andaj do të ishte e lehtë kapja e tij kur të vinte prapë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
James Rodriguez kreu një lëvizje shpëtimtare ndaj kundërshtarit Ousmane Coulibaly,…