Haradinaj: Qeveria e përkushtuar për menaxhimin e ujërave të zeza

05 qershor 2018 | 10:17

Projektet për menaxhimin e ujërave të zeza janë tejet të rëndësishme dhe do ta kenë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean – Hubert Lebet dhe zëvendësshefin e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Bernhard Soland, me të cilët ka diskutuar për mundësinë e zhvillimit të projekteve të ardhshme në fushën e menaxhimit të ujërave të zeza.

Haradinaj ka thënë se Kosova ka mirëpritur investimet e deritashme zvicerane, të cilat kapin vlerën e 100 milionë eurove që nga paslufta dhe se është e përkushtuar që të bashkëpunojë edhe në projekte të radhës, veçmas në ato që kanë të bëjnë me minimizimin e dëmeve të ambientit dhe ruajtjen e tij.

“Kosova është e hapur që të pranojë investime të huaja direkte që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave të zeza. Aktualisht janë disa projekte të cilat janë në fazë të implementimit, por ka edhe të tjera të cilat po planifikohen”, ka thëën Haradinaj.

Ai ka premtuar se Qeveria që ai drejton do të marrë përsipër zotimet e nevojshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtyre projekteve, të cilat mbikëqyren nga këshilli ndërministror.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean -Hubert Lebet, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe për ofrimin e bashkëpunimit në projektet që iniciohen nga shteti i tij, duke shtuar se Zvicra do të vazhdojë ta mbështes Kosovën, përmes projekteve konkrete në fushën e menaxhimit të ujërave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nxënësve që u përjashtuan nga testi në ditën e parë…