Haradinaj takon zyrtarët e lartë të EULEX-it, flasin për sundimin e rendit dhe të ligjit

02 prill 2019 | 17:19

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur martën në takim komandantin e operacioneve civile të BE-së, Vincenzo Coppola dhe shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Haradinaj ka njoftuar Coppolanin dhe Papadopoulosin, me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe angazhimin e përhershëm në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe çështje të tjera me rëndësi për vendin.

Ai ka falënderuar misionin e EULEX-it për bashkëpunimin e deritanishëm, në forcimin e institucioneve të sigurisë, duke thënë se Qeveria e vendit ka rritur buxhetin për drejtësinë, pagat për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë si dhe ka proceduar një varg ligjesh të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e sistemit gjyqësor në vend.

“Është me rëndësi të madhe krijimi dhe forcimi i arkitekturës së sigurisë, dhe Kosova në këtë drejtim ka bërë hapa të suksesshëm, përkundër sfidave me të cilat është ballafaquar”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, Coppola ka vlerësuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të çuar përpara agjendën legjislative të vendit, duke treguar gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e dyanshëm.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot…