Haraqija: Mustafa erdhi në krye të LDK-së duke e sharë SHIK-un, s’bëri asgjë

02 gusht 2019 | 23:59

Ish-ministri nga radhët e LDK-së, Astrit Haraqija, ka thënë se nuk është entuziast për kuvendin zgjedhor të LDK-së pasi që sipas tij ka filluar mbrapsht e do të përfundojë si i tillë.

Ai thotë se nesër do të ndodhin ato të cilat i ka llogaritur Isa Mustafa. Sipas tij, Mustafa nuk do të duhej t’i frikësohej kutive të votimit sepse tek sot ka treguar se do të jetë kandidat për kryetar.

Ai në “Interaktiv” të “KTV”-së, ka thënë se edhe Vjosa Osmani është pajtuar që Mustafa të jetë kryetar i partisë, derisa shton se ka humbur morali politik.

“Kryetarët e degëve të Dukagjinit kanë filluar të kërcënojnë delegatët duke iu thënë se të gjithë do të votojnë publikisht dhe atë Isa Mustafën. Nuk e di çka i vyen pozita e kryetarit nëse nuk ka guxim t’i drejtohet kutive të votimit”, thotë ai.

Haraqija, që ka qenë ministër i Kulturës nga radhët e LDK-së, e për shpërdorim detyre ishte dënuar me një vit burgim me kusht, tha se Isa Mustafa ka ardhur në krye të LDK-së duke e sharë SHIK-un.

Ai shton se kjo lojë ka filluar mes Thaçit dhe Mustafës.

“Mustafa e Thaçi kanë pasur marrëveshje së bashku. Në qoftë se shpallen zgjedhjet me 29 shtator ashtu siç është planifikuar atëherë do të ketë marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së”,thotë ai.

Sipas tij, ka pasur kandidatura më shumë për kryetar të LDK-së por që janë tërhequr për arsye se nuk kanë dashur t’iu mbetet faji se e kanë shkatërruar partinë.

Ai thotë se të njëjtën ofertë si Mustafa për demarkacion me Malin e Zi e ka pasur edhe Isa Mustafa, por që e ka refuzuar.

Ai thotë se në qeverisjen e kaluar, Mustafa nuk ka marrë asnjë vendim derisa ka shtuar se nuk din se çfarë do të ofrojë nëse ai do të bëhet kryeministër.

“Detyra e parë e secilës qeveri që do të vjen duhet të pezullojë taksën për 80 ditë e pastaj të zgjidhet edhe dialogu me Serbinë, maksimumi deri në dhjetorë”, thotë ai.

Ai ka akuzuar Isa Mustafën se një kohë kishte bërë thirrje për distancim nga LDK-ja.

“Që tre muaj nuk ka mbajtur mbledhje të kryesisë ndërkaq tash i ka mbajtur 12 mbledhje për një javë”, thotë ai për kryetarin e tashëm të partisë.

Ndërkaq mundësinë e kandidimit të Vjosa Osmanit për kryeministre, ai thotë se krejt këto ngjarje nuk po ndodhin rastësisht, derisa ka shtuar se askush nuk e garanton atë se do të bëhet kryeministre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tomor Morina, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ndaluar…