Hasani kërkon bashkëpunim më të thellë me Genadijus Sokolovas

05 mars 2019 | 10:14

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur të hënën trajnerin e notit me famë botërore, Genadijus Sokolovas. Ky i fundit ndodhet prej disa ditësh në Kosovë, ku po ligjëron në seminarin e FINA-s (Federata Ndërkombëtare e Notit), për nivelin e dytë të kursit për trajnerë të notit, në të cilin, krahas trajnerëve nga Kosova, po marrin pjesë edhe trajnerë nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Britania e Madhe, Brazili etj.

Ish-notari i njohur ka qenë drejtor i shkencave sportive, ku ka pasur rastin të punojë me elitën e notit, duke përfshirë kampionin e shumëfishtë olimpik, Michael Phelphs. Presidenti Hasani falënderoi mysafirin nga ShBA-ja për edukimin që po e bën për trajnerët në këtë kurs, duke shprehur mirënjohjen e thellë dhe përkrahjen e vazhdueshme të Komitetit Olimpik të Kosovës për Federatën e Notit të Kosovës. “Gjatë bashkëbisedimit presidenti Hasani kërkoi që bashkëpunimi i Federatës së Notit në Kosovë me ligjëruesin Sokolovas të thellohet edhe më shumë gjatë këtij viti dhe bashkërisht edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës t’i mundësohet Sokolovit të vijë sërish gjatë muajit tetor në vendin tonë për ta vijuar edhe nivelin e tretë të trajnimit për trajnerë. Hasani e njoftoi Sokolovasin edhe me vendimin e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut për ta përkrahur edukimin në kampe jashtë vendit të trajnerëve të sporteve të ndryshme në Kosovë, si dhe me organizimin e kurseve për trajnerë dhe administratorë të sportit”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Ndërsa Genadijus Sokolovas u shpreh mirënjohës për pritjen e bërë, duke shprehur përshtypjet e para se Kosova është vend me shumë talentë nëpër botë. Ai foli për rëndësinë që ka organizimi i kursit të nivelit të dytë, në të cilin po e bartë përvojën e vet te trajnerët e shumtë pjesëmarrës. I pranishëm në takim ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës (FNK), Astrit Haliti.

/Epoka e re/ 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në vendin tonë do të mbajë mot i ngrohtë…