Hasani: Skitaret tona u paraqitën mirë në “Sarajeva 2019”

15 shkurt 2019 | 10:46

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka analizuar pjesëmarrjen e ekipit olimpik të Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF) që po mbahet në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore.

Kosovën e përfaqësuan skitaret Klea Vrella dhe Elba Kokaj, të cilat nuk arritën ndonjë rezultat të madh, por kryetari i KOK-ut paraqitjet e tyre i vlerësoi pozitive.

“Bazuar në vlerësimin e trajnerëve dhe garuesve, konkurrencës tejet të fortë, si dhe kushteve që mbretërojnë në vendin tonë, mund të themi se kishte një paraqitje e mirë e të dy skitareve. Për Kosovën është mirë që u prezantua në EYOF Sarajeva 2019, të cilat për vendin tonë ishin të dytat pas pjesëmarrjes në Erzurum 2017. Ne EYOF Sarajeva 2019 Kosova mori pjesë me flamur sikurse çdo shtet tjetër, madje në hapjen solemne duartrokitjet e qytetarëve të Bosnjës e Hercegovinës ishin frenetike, që dëshmon respektin reciprok midis dy popujve dhe se shumica e qytetarëve nuk pajtohen me qëndrimet e politikanëve për mosnjohje të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hasani për faqen zyrtare të KOK-ut.

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës qëndrimin në Sarajevë e shfrytëzuan edhe për takime të ndryshme me homologët e shteteve të tjera.

“Realizuam kontakte të shumta me homologët tanë, ndërsa për performancën e dy sportisteve dhe përvojën e fituar, edhe unë e ndaj mendimin me trajnerët dhe dy sportistet se të arriturat janë në proporcion me mundësitë për stërvitje dhe me kapacitetin momental të dy sportisteve. Jam i bindur se me investimet në Brezovicën e bukur dhe qendrat e tjera, sportistet tona do të shkëlqejnë në vitet në vijim”, ka deklaruar Hasani. EYOF Sarajeva 2019 mbyllet sonte (e premte) mbrëma me ceremoninë mbyllëse, e flamurin e Kosovës do ta bartë skitarja Klea Vrella.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas pushimit dimëror rikthehet sot (e premte), IPKO Superliga e…