Hashim Thaçi: Rusia nuk do të jetë pjesë e dialogut

25 dhjetor 2017 | 21:38

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi që nuk ka mundësi që Rusia të jetë pjesë e dialogut në mes të Kosovës me Serbinë, përkundër disa raportimeve që një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Rusia nuk do të jetë pjesë e dialogut. Kosova nuk është Siri që të futen tërë ata akterë ndërkombëtarë. Lidhur me këtë ka pasur reagime edhe nga përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit Amerikan. Ndërsa nga BE-ja janë më të kujdesshëm, ngaqë duan që Serbia të afrohet kah Brukseli dhe nganjëherë mbyllin sytë” ka thënë Thaçi në një intervistë në “Zona B” të “Klan Kosovës”.

Sa i përket bisedimeve në nivel presidentësh, Thaçi mohoi t’i ketë marrë kompetencat ndonjë institucioni, përderisa tha që përfaqësimi duhet të bëhet në formë të barabartë qoftë ai në nivel presidentësh, kryeministrash apo ministrash.

Presidenti i vendit edhe njëherë bëri të ditur që epilogu i dialogut të Prishtinës dhe Beogradit do të jetë njohja reciproke.

“Ne po punojmë me mundësi reale që ai proces të jetë përfundimtar dhe të përfundoj me njohje reciproke, dhe Kosova të anëtarësohet në OKB. Vetëm kështu do të ketë kuptim dialogu” deklaroi Presidenti Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati…