“Haxhi Gashi një fidai, e djeg veten e t’përvlon ty”

11 nëntor 2020 | 15:12

Shkruan: Prof.Asoc.Dr.Halit Shabani –

Personalitet i shquar kombëtar me histori të bujshme atdhetarie, i pushkatuar nga Perandoria Osmane për aktin e vetëflijimit duke i dalë zot Atdheut për të cilin dha jetën, nuk u kthye dhe nuk u varros kurrë.

Haxhi Gashi ishte një trim besnik popullor, i ardhur në jetë rreth vitit 1880-85, në një familje patriotike shqiptare, zbritur kohë më parë në fshatin Grebnik, i cili shtrihet në rrafshin e Malësisë së Gjakovës, si pjesë e Dukagjinit, la pas vete një djalë, Avdylin, i cili i lindi  më 1908. Po atë vit në të cilin Haxhiu shkonte për të shërbyer në ushtrinë osmane edhe pushkatohej.

Haxhi Gashi luftëtar i mirënjohur kombëtar me një veçori të veçantë flijimi, duke e ekzekutuar gjeneralin e brigadës së ushtrisë Osmane në shenj hakmarrje për nder të Ismail Qemalit, për të cilin u thurën këngë, apo mite si një legjendë, por u përmend  rrallë e shkrua edhe më rrallë, për të mos thënë fare, dhe atë vetëm tërthorazi dhe në kontest të ngjarjeve të thurura  në këngë nga rapsodë të këngës popullore shqipe.

Trimi Haxhi Gashi, qysh i ri, u dëshmua për guxim e trimëri dhe atdhetarizëm të zjarrtë, nuk kishte si ndryshe, ngase gjaku i tij ishte i tillë. Nga Baba ishte biri i Bajramit dhe nga Nena Fatimja, vajza e Zeqë Goqit nga Juniku, i cili kishte 3 vajza, të madhen e kishte të martuar në Llugagji, të dytën në Grabnik dhe të tretën në Bec. Shtëpia e Zeqë Goqit ishte shtëpi me zë në Dukagjin. Në atë kohë nuk jepnin e as  nuk merrnin nuse nga çdo kush. Për ta dhënë apo për të zanë nuse duhej të përshtateshin Familjet nga shumë fusha, andaj edhe shkuesit e dinin këtë çështjeje. Familja e Haxhi Gashit ishte familje e njohur “den baba den” për trimëri dhe atdhedashuri, ku Haxhiu ndër të parët iu bashkua çetave luftarake të kohës si: të Qel Shabanit, të Hazir Sylës e Zymer Fazlisë, të Sadik Ramës e Muk Sahitit, Tahir Selimit e shumë e shumë burrave më me zë të kohës të cilat luftuan përgjatë tërë viseve shqiptatr nga Shkupi e deri në Shekullar e Azhanicë …

Ai megjithëse atëbotë gati fëmijë, dhe siç i thonë fjalës popullore, ende pa i rënë “brisk fytyrës“, edhe në atë moshë, u bë pjesëtarë i Logjeve t ‘Burrave, ku flitej dhe bisedohej se si të kondiset Turkia.

Ai u dëshmua aq kryengritës i guximshëm dhe patriot i përkushtuar, sa që kur ishte në pyetje populli i tij dhe çështja kombëtare, refuzonte me vendosmëri edhe vendimet e vet Sulltanit (mbretit), i cili sa herë bëhej gati t’i sulmonte shqiptarët, aq herë kërkonte edhe dorëzimin e armëve nga kryengritësit dhe prijësit e çetave kaçake të lartpërmendura më lartë.

Madje, kur forcat turke sulmuan Ismail Qemalin në Parlamentin turk me qëllim që ta demoralizonin dhe ndërprerin aktivitetin e tij kombëtar, ai me shokët e tij nuk u dorëzuan as ligësuan, por planifikuan nje rezistencë edhe më të fortë dhe bënë qëndresë të tillë trimërie, sa që ngjarja e lartcekur historike do të përjetësohej nga populli liridashës edhe në këngën rapsodike.

Haxhi Gashi kishte biseduar me shokët e tij dhe u kishte treguar se do të hakmerrej për nderin e Ismail Qemalit, i vetëdijshëm se ai nuk do të shpëtonte gjallë,  mbajti një takim të fshehtë me shokët që gjendeshin duke larë obligimin e kohës në ushtrinë osmane, u tregon për vendimin dhe planin e tij, kështu që u thotë, se nëse do të vritet gjatë aksionit, ata,  t’ia  shkruanin  një letër për ta njoftuar familjen dhe kombin shqiptar, se ai nuk ka shkua dom por është ndërrua me një oficer  të lartë të ushtrisë Osmane, dhe ashtu ndodhi, ku i mllefosur nga sulmi  ndaj Ismail Qemalit dhe shkatërrimet e agresorëve otoman mbi popullin Shqiptar, do të  vërsulet rreptë, mu si reja  në mejdan, kundër nizamëve turq dhe midis  në prezencë të brigadës, ku shërbente e ekzekutoj duke ja shkrep mu në ballë man zerren gjeneralit, të cilin e la të vrarë në vend.

Për këtë rapsodi e skalit në këngë:

Është dal trimi për mejdan

T ‘madhe i briti o kapedan

Ndal bre thi, kah po shkon

Kah po shkon ore faqezi

Tash ke punë me fidai

Fidai e djalë gashjan

Kret në gjak trupin ta lanë

Ta lanë trupin krejt në gjat

N ‘gjoks nishanet t’i kalli flak

Shpejt manxerren e rrotullon

Krisi reja për nizam

Tana trut i ran n’kalldram.

I ran n’kalldrem e koka rrxue

Haxhi Gashin ma kanë rrethue

Ma rrethoin n’mazllat te Blini

T’madhe briti qaj Milazimi

Kurr skam pa qe

si trimi

Veq n’koft kanë Muja Halili .…

Jehona e aktit trimëror të Haxhisë u dëgjua jo vetëm në Stambollin Otoman, por në të gjitha trojet shqiptare. Pra, deri aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë.

Ndaj, Porta e lartë (Perandoria Osmane) e dëshpëruar me aktin heroik të Haxhisë, shkarkoi nga funksioni udhëheqës të lartë ushtarak dhe largoi me urgjencë të gjithë ata të cilët ishin shoqëruar me Haxhi Gashin.

Porta e lartë vendosi që Haxhi Gashi të pushkatohej si hakmarrje për gjeneralin dhe me procedurë të shpejt u pushkatuan, ku rapsodi i këngës folklorike këtë ngjarje e skaliti:

Në Stamboll po thërret Telalli

Tri taborre le t’bahen gati

Se sot po grihet Haxhi Gashi

Haxho Gashi një djal i ri

Dojn t’ja lidhin sytë me shami

Por, fort bertiti ai djal i ri …

…………………………………

Kjo ngjarje e cila bëri bujë t ‘madhe,  nxiti edhe më shumë që trimat të organizonin  Kryengritje si ato të viteve 1909,1910,1911 të cila acaruan në atë masë  gjendjen politike në trojet shqiptare, e sidomos Lufta e Pejës  , sa që, qeveria turke shpërndau parlamentin dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në trevat më kryengritës shqiptarë, siç ishte Kosova .

Madje, në mars të vitit 1912, vet ministri i brendshëm turk Haxhi Adil Beu, provoi të vizitonte qytetet kryesore të Kosovës në përpjekje për të bindur shqiptarët që edhe më tej, të pajtoheshin me robërinë dhe të i nënshtroheshin Perandorisë otomane .

Por luftëtarët kombëtar të udhëhequr nga patriotët si: Qel Shabani, Bajram Daklani, Hazir Syla, Muk Sahiti, Sadik Rama, Tahir Selimi, Him Ibishi-Lubeniqi e shumë të tjerë, e ndoqën me armë në dorë ministrin turk, ngado që ai shkonte

Sidoqoftë, kryengritësit shqiptar megjithëse të rrethuar me armiq nga të gjitha anët, nuk u dorëzuan as  nuk e lanë luftën në gjysmë siç kërkohej prej tyre, nga fuqitë e mëdha, por qetat e tyre kaçake nën udhëheqjen e patriotëve si: Bajram Curri, Qel Shabani, Bajram Daklani, Zymer Fazlia, Isuf Musa, Sadik Rama, Muke Sahiti,Bajram Syla, Tahir Selim,Him Ibishi- Lubeniqi e shumë e shumë të tjerë…, vazhduan rezistencën kombëtare, si ditën e mundën deri në dëbimin përfundimtar të pushtuesve otoman nga trojet shqiptare dhe krijimin e kushteve që më 28 nëntor 1912, të shpallej Pavarësia e Shqipërisë!

Haxhi Gashi, sikur ishte i lindur pikërisht për ngjarje të mëdha e mote të vështira dhe periudhat më të rëndësishme historike, nëpër të cilat, pothuajse e gjithë elita kombëtare u dashtë të kalonte, për sigurimin e mbijetesës dhe ekzistencën mbarëkombëtare të shqiptarëve.

Interesant është të thuhet se fisi i Gashit çdo herë ka dhënë djem fidai, të cilët janë flijua për çështje madhore morale dhe kombetare, si Haxhi Gashin, Halit Gashi në viqitern, Halit Bajrani në Drenice (lufta e Azem Bejtë Galica  etj.

Falë burrave të mëdhenj si Haxhi Gashi, edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që me gjithë shpalljen e Pavarësisë kombëtare, Kosovën dhe viset e tjera etnike, pa të drejtë, i lanë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, përpjekjet historike shqiptare të nisura, që nga Lidhja e Prizrenit, nuk u ndalën por vazhduan.

Ai dhe idealistët kombëtar të kohës, mbetën gjithmonë burra kryengritës të pa penduar, të cilët luftuan me vendosmëri edhe për ruajtjen e tokave të shtetit të pavarur kombëtar, çlirimin e Kosovës e trojeve tjera shqiptare nga pushtimet e huaja dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Vepra sublime e Haxhi Gashit , arriti piedestalin e rrezatimit dhe u kthye në legjendë atdhetarizmi, madhëroi përpjekjet e të gjithë shqiptarëve dhe ngriti e lartësoi kudo, kryengritjet popullore për liri e çlirim si vlerën më të çmuar kombëtare.

Sakrificat e tij për moralin dhe çështjen Kombëtare, nuk mbaruan këtu.

Sot e atëherë, trojet tona etnike, janë përmalluar shumë, që në gjirin e tyre, të kenë të paktën edhe një herë burra të tillë dhe personalitete si ato të Rilindjes Kombëtare, apo të njohin qoftë edhe një Trim si Haxhi Gashi dhe atdhedashësit e tjerë si ata të periudhave të; para e pas Pavarësis së Shqipërisë, të cilët ishin figurat më të ndritshme patriotike.

Haxhi Gashi  dhe trimat të tjerë, si bijtë më të denjë të çështjes shqiptare, bënë që populli ynë nga një popull i shtypur dhe i nënshtruar për shumë shekuj, të cilit intenzivisht i refuzohej emri, identiteti etnik dhe hapësirat territoriale nga pushtuesit e egër, të ngritët e ndërgjegjësohet si komb i njëmendët, dhe rreshtohet mes kombeve të nderuara të Evropës.

Pa personalitetet legjendare si atë të kohës së Haxhi Gashi dhe të sotmes  Adem Jashari nuk mund të ishte e tillë e bujshme dhe heroike, as historia jonë kombëtare.

Emri dhe vepra e tij e përditësuar, u kthyen përjetësisht në dëshminë më të ndritshme të heroizmit mbarëkombëtar dhe ai do të mbahet mend gjatë për sublimim flijimesh atdhetare.

Këtij Burri mendoj se i mbeti borxh edhe historia, patriotët, intelektualët, dashamirët e atdheut dhe pasardhësit.

Ndaj, për  fidain Haxhi Gashi u shkrua aq pak, për të mos thënë fare, dhe atë vetëm në konteste rapsodike që e sakliten në vargje të cilat paraqesin pjesërisht, por nuk mund ta pasqyrojnë as për së afërmi gjithë kontributin e madh dhe veprën e tij të flijimit për çështjen kombëtare.

Emri i tij, që atëherë me krenari vijon të shpalos para brezave, plotë kompetencë argumentet e pashtershme të historisë dhe patriotizmave tradicionale shqiptare, si dhe përçoj para botës liridashëse, kronikat e pafundme të atdhedashurisë gjithëkombëtare, të cilat falë edhe veprës  madhore të tij, përjetësisht ngritin kombin shqiptar, tash e përgjithmonë në piedestalin e lavdisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se…