Haxhimusa: Sezoni vjeshtor, pozitiv për Gjilanin

12 dhjetor 2017 | 09:40

Betim Haxhimusa për “Epokën e re” ka thënë se pikët e grumbulluara në sezonin vjeshtor nga Gjilani janë të mjaftueshme për ta mbajtur këtë klub brenda objektivave. “Ka qenë një sezon stabil për skuadrën e Gjilanit. Me disa probleme të lëndimeve që kemi pasur në vazhdimësi, mund të them se jemi të kënaqur me pikët e mbledhura”, ka thënë Haxhimusa.

Futbollisti Betim Haxhimusa e ka vlerësuar pozitiv sezonin vjeshtor për skuadrën e Gjilanit në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Kjo skuadër e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e tetë me 26 pikë të grumbulluara. “Ka qenë një sezon stabil për skuadrën e Gjilanit. Me disa probleme të lëndimeve që kemi pasur në vazhdimësi, mund të them se jemi të kënaqur me pikët e mbledhura”, ka thënë Haxhimusa të dielën për gazetë.

Skuadra e Gjilanit ka gjashtë pikë më pak se skuadra lidere, Llapi, dhe në pranverë kjo skuadër mund të luftojë edhe për pozita më të larta, pasi pjesën e parë të edicionit e mbylli brenda objektivave që ia ka parashtruar vetes në fillim të edicionit 2017/2018.

“Ne jemi brenda objektivave të klubit pas sezonit vjeshtor. Sa i përket mundësisë që të luftojmë për titull, ka edhe shumë lojë për t’u zhvilluar dhe diferenca e vogël në mes të skuadrave e bën garën për titull edhe më të rëndësishme. Gjasat për t’u shpallur kampion, shumë skuadra i kanë përafërsisht të njëjta”, ka deklaruar ai.

Forma e futbollistit ofansiv të Gjilanit, Betim Haxhimusa, është në ngritje të madhe në vitet e fundit, kurse gjatë javës së kaluar ai ka marrë oferta nga klubet jashtë Kosovës, por ai konfirmon se nuk do të largohet nga Gjilani pa i përfunduar kontrata.

“Kam kontratë me Gjilanin deri në muajin qershor dhe jam i përqendruar maksimalisht vetëm te kjo skuadër. Kam oferta nga disa klube jashtë futbollit të Kosovës, por nuk do të largohem deri në verë”, ka theksuar Haxhimusa, i cili nuk ka dashur t’i bëjë publikë emrat e skuadrave që janë të interesuar me arsyen se planet e tij janë të vazhdojë të kontribuojë për skuadrën e Gjilanit.

Gjilani që drejtohet nga strategu i futbollit të Kosovës, Arbnor Morina, nga 18 ndeshje ka arritur të regjistrojë pesë fitore, njëmbëdhjetë barazime dhe dy humbje.

 

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…