Haxhiu e procedon në qeveri Projektligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se kanë proceduar në qeveri Projektligjin për themelimin e byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Haxhiu ka thënë se ky projektligj është punuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës.
Me këtë projektligj sipas ministres parashihet verifikimi dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht.
“Ky projektligj i cili është punuar nga ekspertët më të mirë të fushës (vendorë dhe ndërkombëtarë), përmban dispozita materiale dhe procedurale të cilat synojnë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht. Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haxhiut:
Sot kemi proceduar për në qeveri njërin nga projektligjet më të rëndësishme, atë për themelimin e Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ky projektligj i cili është punuar nga ekspertët më të mirë të fushës (vendorë dhe ndërkombëtarë), përmban dispozita materiale dhe procedurale të cilat synojnë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht. Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.
Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi e implementimi i këtij ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi.
Falënderoj të gjithë anëtarët e grupit punues për kontributin që kanë dhënë në hartimin e këtij projektligji!



