Haxhiu për miratimin e Byrosë: Përmbushëm një zotim shtyllë të qeverisë Kurti
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka falënderuar deputetët të cilët gjatë ditës së sotme miratuan në lexim të dytë Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e miratuan në lexim të dytë Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Opinionet e Komisionit të Venecias janë garanci e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Byrosë. Ndërkaq vet ky institucion është garanci e vendosjes së drejtësisë për luftimin e intensifikuar të korrupsionit zyrtar duke i konfiskuar të mirat e përfituara paligjshëm nga të gjithë keqpërdoruesit e fondeve dhe pasurisë publike”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”, duke falënderuar të gjithë akterët e përfshirë në përgatitjen e këtij projektligji që shënon përmbushjen e një zotimi shtyllë të Qeverisë Kurti.



