Haxhiu: Përkulemi me respekt para kujtimit të martirëve të masakrës së Korishës
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Korishë, në përkujtim të viktimave të masakrës së 13 majit 1999.
Sipas njoftimit nga presidenca, Haxhiu u përkul me respekt para kujtimit të martirëve, duke e cilësuar masakrën e Korishës si një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë, ku humbën jetën 77 civilë shqiptarë, mes tyre 30 fëmijë, si dhe 11 të tjerë gjatë periudhës mars–qershor 1999.
Ajo ka theksuar se në Korishë dhe fshatrat përreth, civilët shqiptarë ishin dëbuar, ndaluar dhe ishin mbajtur nën trysninë e forcave serbe, ndërsa disa prej tyre u morën peng dhe u detyruan të kryejnë punë për nevoja ushtarake.
Haxhiu ka thënë se Korisha mbetet dëshmi e rëndë e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare dhe se familjet e viktimave kanë të drejtë për drejtësi, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të qëndrojnë pranë tyre deri në zbardhjen e plotë të këtyre krimeve.



