Haziri: Imamët e Gjilanit kanë dëshmuar vendosmërinë e tyre në luftimin e Covid-19

02 korrik 2020 | 11:49

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka takuar Këshillin e Bashkësisë Islame dhe imamët e xhamive të Gjilanit, me ç’rast janë koordinuar për vazhdimin e përdorimit strikt të masave mbrojtëse për parandalim të pandemisë Covid-19 dhe angazhimin e përbashkët deri në normalizim e plotë të gjendjes.

Haziri ka falënderuar Bashkësinë Islame në Gjilan për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në Komitetin për menaxhimin e emergjencave si dhe angazhimin e madh të të gjithë imamëve në bartjen e mesazhit për kujdes dhe respektim të vendimeve për parandalim të pandemisë në institucionet fetare.

“Angazhimi i përbashkët për përballje ndaj pandemisë ka qenë më i lehtë në kontributin që ka dhënë Këshilli i Bashkësisë Islame dhe imamët e xhamive, e sidomos gjatë riteve fetare në Xhami. Përdorimi i masave mbrojtëse është domosdoshmëri për shëndetin publik dhe ky mesazh është bartur çdo ditë. Është fat i madh që xhamitë nuk kanë qenë burim i infeksionit dhe duhet edhe më tutje të kemi kujdesin maksimal dhe të apelojmë te qytetarët për përmbajtje të rregullave dhe rekomandimeve që i jep Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës deri sa të shërohet edhe rasti i fundit”, ka thënë Haziri, duke shtuar se bashkëpunimi edhe me komunitetet tjera fetare është në nivelin e lartë.

Ndërsa kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri për angazhimin maksimal që ka dhënë komuna në përballjen e pandemisë dhe menaxhimin e vështirë të gjendjes, duke u zotuar se parandalimi është detyrë e të gjithëve, pavarësisht në cilën përgjegjësi dhe detyrë ndodhet.

Aliu ka konfirmuar angazhimin e mëtutjeshëm të të gjithë imamëve për respektimin e vendimeve dhe rekomandimeve të institucioneve të shtetit për të mirën e përgjithshme dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa numri i rasteve të reja me Covid-19 vazhdon dhe…