Haziri kërkon nga bizneset që ta mbajnë distancën dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse në shërbime

09 prill 2020 | 12:54

Është mbajtur të enjten takimi i Qendrës Operative Emergjente dhe Komitetit emergjent kundër përpapjes së pandemisë Covid-19, nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në adresimin para medieve pas takimit, Haziri ka kërkuar nga bizneset që ta mbajnë distancën dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse në shërbime.

“Nëse gjejmë raste ku shërbehet pa masa mbrojtëse, ne detyrohemi që t’i mbyllim me inspekcion dhe me policinë e shtetit, për të mos e lejuar përhapjen e infeksionit e mundshëm”, ka deklaruar Haziri.

Haziri ka theksuar se nga vlerësimet e sotme, gjendja po shkon drejt normalizimit në menaxhimin më të mirë të rasteve nga ana e shtabit emergjent, që ka të inkorporuar të gjitha institucionet lokale dhe regjionale.

Në këtë paraqitje, Haziri ka falënderuar bashkatdhetarët ekonominë gjilanase për mbështetjen që e po e japin për qytetin e tyre, duke apeluar edhe të tjerët që vazhdojnë të jenë solidarë.

“Faleminderit, në veçanti, bashkatdhetarëve kudo që janë për hapjen e kuletës së tyre në ndihmë për familjet gjilanase. Gjenerata e tretë po shkojnë në rrugën e prindërve të tyre me solidaritet, siç janë rastet e ditëve të fundit. Në do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha rastet në nevojë në mënyrë të barabartë”, ka thënë Haziri.

Haziri, po ashtu, ka konfirmuar se s’ka grumbullime në rrugë, takime sociale në parqe dhe asnjë aktivitet tjetër të përbashkët.

“Ne tashmë e kemi orarin për vrapuesit dhe ata që ecin në kuadër të rekreacionit sipas rregullave në fuqi dhe duhet të respektohet. Njerëzit mund të ecin dhe vrapojnë, por jo me shoqërues”, ka thënë Haziri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
As njerëzit më të pasur të botës nuk janë imunë…