“Rrudhet” lista e miliarderëve për vitin 2020

09 prill 2020 | 12:51

As njerëzit më të pasur të botës nuk janë imunë nga koronavirusi. “Forbes” ka publikuar listën e miliarderëve për vitin 2020, që sërish kryesohet nga amerikani Xhef Bezos. Lista është më e shkurtër sesa vitin e kaluar.

Për të tretin vit radhazi, Xhef Bezos, themeluesi i kompanisë lider për blerjet online, “Amazon”, kryeson listën e miliarderëve të botës për 2020-ën.

56-vjeçari Bezos, sipas revistës amerikane, “Forbes”, ka akumuluar një pasuri me vlerë 113 miliardë dollarë, 18 miliardë më pak sesa vitin e kaluar, bilanc ky i pakësuar si pasojë e divorcit me ish-gruan e tij.

Themeluesi i “Microsoft”-it, ndërkohë, 64-vjeçari Bill Gejts, mban vendin e dyte me 98 miliardë dollarë pasuri.

Manjati francez Bernard Arno renditet në vend të tretë, i ndjekur nga biznesmenët amerikanë Uorën Bafet dhe Leri Elison.

Nga gratë, trashëgimtarja e rrjetit të hipermarketeve “Walmart”, Elis Uolltën, raporton një pasuri prej 54 miliardë dollarë, duke u renditur e nënta.

Personaliteti mediatik, 22-vjeçarja, Kajli Xhenër, mbetet miliarderja më e re e listës që nga viti i kaluar, me një pasuri 1 miliardë dollarë; muzikanti Xhei-Zi bëhet i pari hip-hopist që debuton në listën e miliarderëve, ndërsa biznesmeni kinez Kin Jinglin, akumuloi pasurinë më të madhe në harkun e një viti, plot 14,2 miliardë dollarë më shumë nga biznesi i tij i tregtimit të mishit të derrit.

Në renditjen e këtij viti, u ul në 2,095 numri i miliarderëve të botës krahasuar me 2019-ën, kjo për shkak të falimenteve apo ndarjes nga jeta, por e ndikuar tani edhe nga pandemia e koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në veri të Kosovës, dy raste pozitive me koronavirus janë…