Haziri kërkon nga gjilanasit ta festojnë Bajramin pa vizita familjare

23 maj 2020 | 14:15

Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, është mbajtur takimi i Komitetit për menaxhimin e emergjencave kundër përhapjes së Covid-19, për të vlerësuar gjendjen e përgjithshme në prag të festës së Fitër Bajramit.

Haziri ka thënë se kanë bërë të gjitha përgatitjet, sipas rekomandimeve të Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) në Gjilan, për hapat dhe masat në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“E falënderoj KBI-në që këtë muaj ka organizuar aksionin e solidaritetit, duke qenë pranë familjeve në nevojë dhe duke begatuar sofrën e tyre në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit. Unë i uroj të gjithë qytetarët e Gjilanit për festën e Fitër Bajramit, por bëhuni gati për festë në kohë pandemie, pa vizita familjare dhe pa vizita tradicionale në kohë të Bajramit”, ka thënë Haziri.

Më tutje, Haziri ka njoftuar se nuk ka pasur raste të reja me Covid-19, duke shtuar se janë 32 persona në vetizolim dhe me simptoma të lehta.

Ndërsa kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar të gjithë qytetarët e kësaj komune  për kulturën dhe disiplinën që kanë treguar gjatë kësaj kohe, e në veçanti gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit.

Ai ka njoftuar se KBI-ja, nëpërmjet shoqatës “Bereqeti”, ka shpërndarë 1 180 pako ushqimore për familjet në nevojë. (L.G/Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ligjvënësit amerikanë janë ankuar në Shtëpinë e Bardhë, për shkak…