Hiqet guri përkujtimor i nënës që e dogji vetën pasi i varrosi eshtrat e bijve të vrarë nga forcat serbe

21 korrik 2023 | 12:38

Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) është hequr dje pasdite me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala. Kështu ka shkruar në “Facebook” profesori universitar dhe shkrimtari Ag Apolloni.

Ai e vazhdon shkrimin se nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit.

“Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë). Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritët një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritët asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet!”, ka shkruar Ag Apolloni.

Historia e Pashkë Markut nuk është e panjohur në Kosovë. Më 27 prill 1999, në masakrën e Mejës ku ranë 374 martirë, ishin edhe dy djemtë e Pashkës, Gjovalini dhe Milani.

Ndonëse dihej se ishin vrarë në këtë masakër, trupat e të dyve u cilësuan si të zhdukur deri më vitin 2003 kur trupat e tyre u kthyen dhe u rivarrosën.

Për katër vite nëna Pashkë priti me shpresë për kthimin të gjallë të bijve të saj. Ajo madje kishte pohuar se nuk do të jetonte më nëse djemtë e saj nuk ktheheshin të gjallë.

Ashtu edhe ndodhi. Më 24 maj 2003 trupat e Gjovalinit dhe Milanit veçse ishin kthyer dhe tash po rivarroseshin. E shpresa e nënës së tyre se ata do t’i ktheheshin të gjallë mori fund.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dikur një makth për administratorët e sistemit kompjuterik të qeverisë…