Hoti bën homazhe në Prekaz, premton përkujdesje për kullat e familjes Jashari

04 qershor 2020 | 14:01

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në ditën e tij të parë të punës në krye të qeverisë, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Gjatë kësaj vizite, Hoti ka premtuar se do të kujdeset për t’u siguruar që kullat e familjes Jashari të mbeten vend i shenjtë.

“Ne sot bashkë me kabinetin qeveritar filluam ditën e parë të punës me nderimet që bëmë në këtë vend të shenjtë. I pamë edhe pamjet e kullave dhe premtoj se do të ketë gjithë kujdesin e nevojshëm për të siguruar që ky vend i shenjtë, të mbetet përgjithmonë vend ku kryhen nderimet dhe ku bëhet pjesë e memories tonë kombëtare për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Hoti.

Hoti ka komentuar edhe propozimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, për një qeveri gjithëpërfshirëse me kryeministër Murat Jasharin.

“Ju kisha lut për mirëkuptim. Emri i tij (Murat Jashari) është simbol i kësaj familje dhe s’ka njeri në Kosovë që nuk e respekton, por kanë ndodhur disa procese tjera kushtetuese, kemi marrë detyrën dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë, pa marrë parasysh dallimet politike që kemi”, është shprehur Hoti.

Hoti gjatë kësaj vizite ishte i shoqëruar nga kabineti i tij qeveritar dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka pranuar detyrën nga ish-ministri…