Hoti dhe 14 deputetë të opozitës i kërkojnë presidentes ta refuzojë dekretimin e Bashkim Nurbojës në bordin e BQK-së
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se, së bashku me 14 deputetë nga grupet parlamentare të opozitës, ka nënshkruar një kërkesë drejtuar presidentes së Kosovës, duke i kërkuar të refuzojë dekretimin e Bashkim Nurbojës si anëtar joekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“Tani mbetet që presidentja t’i përmbahet kompetencave të saj kushtetuese dhe të veprojë në përputhje me përgjegjësinë që i jep Kushtetuta. Pavarësia e institucioneve dhe respektimi i procedurave kushtetuese duhet të jenë mbi çdo interes tjetër”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Në shkresën e dërguar presidentes, deputetët kanë kërkuar refuzimin e riemërimit të Bashkim Nurbojës në pozitën e anëtarit joekzekutiv të Bordit të BQK-së, për të cilën është zgjedhur nga Kuvendi më 15 tetor.



