Hoti prezanton programin qeverisës, thotë se objektiva e parë është lufta me pandeminë Covid-19

05 qershor 2020 | 12:54

Kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme të qeverisë ka folur për programin qeverisës.

“Para vetes kemi agjendë të ngjeshur. Programin qeverisës e kemi përmbledhur në disa objektiva qeverisëse: beteja që duhet ta fitojmë kundër pandemisë, rimëkëmbja ekonomike për të kthyer standardin e jetës dhe nivelin e bizneseve aty ku ka qenë para pandemisë, derisa objektivat e tjera do të jenë forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik i bazuar në ekonomin e tregut me rritje të punësimit dhe investimit, si dhe marrja e plotë e përgjegjësive si qeveri në përputhje me Kushtetutën për të çuar përpara dialogun me Serbinë në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe ShBA-të duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve dhe të tjera”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se situatën me Covid-19 do ta menaxhojnë në dy shtylla.

“E para, masat gjatë fazës emergjente ku planifikojmë ta mbajmë të mobilizuar plotësisht sistemin tonë shëndetësor dhe vetëdijen e qytetarëve lart, ndërkohë që hapim bizneset dhe shoqërinë për t’u kthyer gradualisht në normalitet. Ndërmarrim protokollet që janë zhvilluar nga OBSH-ja dhe Komisioni Evropian për të bërë të mundur rikthimin gradual në normalitet”.

“Masat afatgjata për përballjen me pandeminë përfshijnë krijimin e kapaciteteve që të kryejmë numër shumë të madh të testeve në gjithë Kosovën me procedura të shpejta dhe të decentralizuara duke integruar të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor, ashtu si edhe sistemin publik dhe privat shëndetësor që të kenë kapacitetet e nevojshme për përballjen në të ardhmen në rast se kthehet prapë pandemia”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përfunduar takimin me presidentin…