Hoti: Qeveria emëron anëtaren e Bordit të OShP-së pa konkurs publik

30 prill 2024 | 12:45

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar emërimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Sipas tij, ajo është emëruar pa konkurs publik. Hoti ka shkruar se marrëveshja me Ambasadën e Britanisë për mbikëqyrjen e konkurseve nëpër borde, është hedhur poshtë.

“Tenderimet publike: Qeveria emëron anëtaren e Bordit të OShP-së pa konkurs publik. Në vendimet që lidhen me prokurimin, qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes. Siç raportohet nga tri organizata të shoqërisë civile, qeveria e ka emëruar një anëtare të Bordit të OShP-së pa konkurs të hapur. Kuvendi e ka miratuar këtë pa asnjë kundërshtim, siç është bërë praktikë. Disa qeveri me radhë kanë nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Britanike, ku bordet dhe udhëheqësit e institucioneve të pavarura përzgjidheshin përmes konkursit publik, pavarësisht si definohej në ligj. Kjo praktikë e mirë kishte për qëllim zgjedhjen e profesionistëve në këto institucione vitale të shtetit. Kjo praktikë u hodh poshtë pa asnjë hezitim nga qeveria që gjoja promovon transparencën dhe drejtësinë”.

“E vërteta është se tenderët njëburimorë, pagesa e avanceve për shpenzime kapitale dhe mbyllja për publikun e procedurave të prokurimit janë tri problemet kryesore në prokurim gjatë mandatit të kësaj qeverie. Këto probleme potencialisht mund të kushtojnë miliona euro për buxhetin e Kosovës. Unë pres që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë në detaje të gjitha rastet e tenderimeve njëburimore, rastet kur janë dhënë avance nga buxheti dhe rastet kur janë mbyllur për publikun procedurat e prokurimit. Të gjeturat duhet të shpalosen në raportet audituese për 2023, që duhet të publikohen së shpejti”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamurin shqiptar nuk e hoqi kurrë që nga fillimi i…