Hoti: Qeveria po i mban 210 milionë euro pa nevojë, ato po devalvohen nga inflacioni

29 korrik 2022 | 10:55

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria Kurti po i mban 210 milionë euro pa nevojë, dhe duke mos i investuar, atyre po u humb vlera nga inflacioni.

Hoti ka thënë se sikurse ato mjete të qarkullonin në ekonomi do të shumoheshin dy apo tre herë. “Bilanci bankar i qeverisë më 30 qershor 2022 ka arritur gati 600 milionë euro, që është afër 7 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo është shumë përtej kufirit të bilancit bankar të nevojshëm që duhet të ketë Qeveria për të qenë mjaftueshëm likuide, që është rreth 4.5 për qind e PBB-së apo rreth 390 milionë euro. Ky nivel ka i lartë i bilancit bankar nënkupton se qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë. Sikur këto mjete të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimit të ardhurat, konsumin dhe punësimin”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Më tutje, Hoti ka thënë se nivel aktual i bilancit bankar të qeverisë përbën edhe abuzim me detyrën zyrtare.

“Në një situatë inflacioni tepër të lartë, dhe me afër 600 milionë euro para të gatshme në llogari, është e papranueshme pse qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit. Për më tepër, nuk e heq përkohësisht as akcizën në derivate për të ulur çmimin e derivateve dhe, rrjedhimisht, të shumë produkteve të tjera, çmimi i të cilave ndikohet shumë nga kostot e transportit. Përse duhet qeveria të mbajë 600 milionë euro në llogarinë e saj bankare?! Pres që ekonomistët e qeverisë të shpjegojnë këtë për qytetarët. Kjo gjendje paraqet papërgjegjësi dhe paaftësi për të udhëhequr shtet – e kam fjalën për shtet me ekonomi të tregut. Ky nivel i bilancit bankar të qeverisë përbën edhe abuzim me detyrën, pasi ligji i jep të drejtë qeverisë të mbledh tatime, por duke ruajtur baraspeshën sociale dhe ekonomike”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, ka njoftuar se…