Hoti thotë se po të ishte në vend të Abdixhikut nuk do ta shkarkonte Agim Veliun

01 korrik 2021 | 00:39

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Lumir Abdixhikun, kryetarin e këtij subjekti politik, për largimin nga pozita e kryetarit të Degës në Podujevë.

Ai në Klan Kosova ka deklaruar se kjo si formë e veprimit nuk është mënyra e duhur, duke shtuar se kanë nevojë t’i ruajnë njerëzit e LDK-së.

“Kemi pasur disa veprime, të cilat po të isha unë në pozitën e Lumir Abdixhikut nuk do t’i kisha ndërmarrë, siç e kemi rastin e Podujevës. Në këtë rezultat, ajo që kemi nevojë është t’i kemi të gjithë njerëzit rreth tavolinës, mos të themi ti s’ke vend në tavolinë. Kjo si qasje mendoj se është e gabuar, është edhe jo statutare, statuti i LDK-së është i qartë në këtë”, ka thene ai ne Klan Kosova.

“Nëse e lexoni statutin e LDK-së, thuhet se kryesia e LDK-së nuk ka kompetencë, për të marrë veprime të tilla, nuk mund të shkarkojë dhe emërojë një kryetar, përveç në situata të jashtëzakonshme, do të thotë kur konstatohet se duhet të merret një veprim i tillë. Sepse statuti thotë se Kuvendi i Degës e zgjedh dhe e shkarkon kryetarin e partisë. Kandidaturat për kryetar të komunave bëhen nga degët në kryesinë qendrore, kryesia qendrore ose i refuzon ato kandidatura”.

“Unë do të veproja ndryshe, ia kam bërë të qartë edhe lidershipit të partisë, sepse kjo nuk është qasja e duhur, sepse duhet t’i kemi të gjithë në tavolinë. Si formë e veprimit nuk është mënyra e duhur, vërtetë kemi nevojë t’i ruajmë njerëzit e LDK-së”.

Hoti ka thënë se Abdixhiku është zgjedhur si i pari i partisë në një fazë jo të mirë të saj, kjo pas rezultatit në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit.

“Është shpejtë, e ka marrë udhëheqjen në një situatë bukur të rëndë, pas një rezultati jo të favorshëm. E kemi kaluar situatën kritike të funksionimit si parti demokratike. Këtë e dëshmuam edhe njëherë me Kuvendin që e mbajtëm më 14 mars. Jemi duke punuar të gjithë, po mundohemi ta ndihmojnë në vendimmarrje Abdixhikun. Duhet ta ruajmë atë frymën që e kemi pasur në kryesinë e LDK-së, në strukturat e LDK-së”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjashtë persona u arrestuan në Greqi të akuzuar për dhjetëra…