Hovenier: Ka zotime nga ana e Kosovës për ta çuar përpara themelimin e Asociacionit

18 tetor 2023 | 22:06

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se nga Kosova ka parë interesim për ta çuar përpara çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Hovenier, që themelimin e tij e konsideron të rëndësishëm dhe urgjent, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka filluar ta shohë Asociacionin si mjet për t’i adresuar shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

“Unë mendoj se 24 shtatori nënvizoi dhe e bëri shumë të qartë se sa urgjente është që të lëvizet para me këtë punë të rëndësishme që të arrihet implementimi i plotë nga të dyja palët, për të gjitha zotimet në marrëveshjen bazë dhe aneksin e implementimit. Ka shumë angazhime të mira në këtë marrëveshje themelore. Ato përfshijnë gjëra si shmangja e përdorimit të forcës, zgjidhja e probleme përmes mënyra paqësore, respekt për kufijtë e njëri-tjetrit”.

“Ka zotime edhe në anën e Kosovës, lidhur me shtyrjen përpara të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mjet për të adresuar shqetësimet e komunitetit etnik serb këtu. Ne po ashtu mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme dhe urgjente”, deklaroi Hovenier në ATV.

Ambasadori amerikan ka paralajmëruar edhe një vizitë shumë të rëndësishme në Kosovë këto ditë.

“Një vizitë shumë e rëndësishme do të bëhet, ashtu siç kemi diskutuar, dhe mendoj se është reflektim i seriozitetit me të cilin Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë në BE e shohin situatën aktuale. Ne duam të shohim progres të vërtetë. Jo në negocimin e zotimeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por të shohim që marrëveshja e arritur në shkurt dhe implementimi i aneksit në mars, të zbatohen plotësisht nga të dyja palët. Mendoj se kjo vizitë e radhës do të jetë manifestim i rëndësisë që kjo të realizohet”, theksoi ambasadori amerikan, Hovenier. /Reporteri.net/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident  i rëndë trafiku ka ndodhur sonte në “Rrugën…