Hoxha e vlerëson të qetë situatën e sigurisë, përmend Banjskën dhe kidnapimin e policëve

26 mars 2024 | 12:51

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se përgjatë vitit 2023, policia është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë, ndonëse ka shtuar i se situata e përgjithshme në territorin e Kosovës vlerësohet të jetë e qetë.

Gjatë raportimit të tij në Komisionin për Çështje të Sigurisë, ai ka përmendur disa prej rasteve më të rënda kriminale, përfshirë këtu sulmin në Banjskë e kidnapimin e tre zyrtarëve policor kufitar.

“Situata e përgjithshme në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe më gjerë vlerësohet të jetë e qetë, megjithatë në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje, situata e sigurisë edhe më tutje mbetet e brishtë. Policia gjatë vitit 2023 është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë marrë për bazën dinamikën e kërcënimeve të sigurisë siç janë incidentet kriminale, sulmet terroriste, protesta të dhunshme e kërcënimet hibride. Vlen të përmenden disa prej rasteve më të rënda kriminale përgjatë vitit 2023. Sulmet më datën 26 maj të vitit 2023 ndaj policisë, qytetarëve dhe gazetarëve, sulmi më datë 29 maj ndaj policisë e  pjesëtarëve të KFOR-it, kidnapimi i tre zyrtarëve policorë kufitar me datë 14 qershor dhe sulmi terrorist në Banjskë ndaj policisë së Kosovës”,  ka thënë Hoxha, duke bërë me dije se gjatë vitit 2023, policia ka menaxhuar mbi 500 protesta.

Pavarësisht sfidave, Hoxha ka thënë se Policia e Kosovës ka arritur të menaxhojë me sukses situatën e sigurisë në vend.

“Policia e Kosovës përkundër sfidave ka arritur me sukses të menaxhojë situatën e sigurisë dhe ka përmbushur misionin e saj duke garantuar rendin dhe sigurinë publike në gjithë territorin e Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për masakrën…