Hoxhaj: Dënimi i Karaxhiqit, moment i rëndësishëm për viktimat e krimeve të orkestruara nga Beogradi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendimi për dënimin me burgim të përjetshëm për Radovan Karaxhiqin është moment i rëndësishëm për viktimat e krimeve të orkestruara nga Beogradi
“Radovan Karaxhiq pati rol kyç në gjenocidin e Serbisë kundër civilëve në Bosnjë e Hercegovinë, për çka u dënua sot me burgim të përjetshëm. Ky është moment shumë i rëndësishëm për të gjitha viktimat që sistematikisht kanë vuajtur nga krimet e orkestruara në Beograd”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Twitter”.
Gjykata e Apelit e Kombeve të Bashkuara ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Radovan Karaxhiqin, për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë
Karaxhiq kishte apeluar kundër dënimit të tij prej 40 vjet burgim, të cilin e ka marrë në vitin 2016 për krime lufte dhe gjenocid.
73-vjeçari është dënuar për masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 në të cilën ishin vrarë më shumë se tetë mijë burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe boshnjake.
/Epoka e re/