Hoxhaj: Kurtin e kanë mbajtur shpesh në Athinë me qëllim që ta largojnë prej Turqisë

07 shkurt 2024 | 14:22

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka pasur vizita shumë të shpeshta në Greqi, duke theksuar se një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe në vendet tjera të rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo Bullgaria.

Hoxhaj ka thënë se Kurti është vënë në kurth kur është ftuar në vizita e simpoziume të shpeshta në Greqi, duke pohuar se qëllimi i tyre ka qenë mbajtja larg prej Turqisë.

“Mendoj se është mirë që Kurti ka ndërtuar gjithashtu raporte të mira me Greqinë. Kemi pasur edhe ne sa kemi qenë në qeveri, edhe kryeministri Thaçi dhe të tjerët. Unë kam raporte shumë të mira me Greqinë, por Kurtin e kanë mbajtur shpesh në Athinë me qëllim që ta largojnë prej Turqisë dhe ai shpesh nuk e ka kuptuar mënyrën se si funksionon politika rajonale e shteteve. Në politikë të jashtme ka edhe kapak kurthe të vogla edhe prej atyre të cilët presin. Unë nuk e kam pritur që Greqia e njeh pavarësinë e Kosovës. Kam dëshirë që kjo të ndodh, por këtë e them me një arsye se nëse ju dhe unë jetojmë në një lagje të Prishtinës dhe unë vazhdimisht shkojë tek fqinjët tjerë dhe nuk vijë asnjëherë te ju për kafe, nuk ka nevojë të kesh dije në diplomacinë politike. Kështu që shumë shpesh e kanë mbajtur me konferenca, simpoziume, ftesa të shpeshta për të treguar që është shumë afër Athinës dhe më larg të tjerëve. Në bindjen time kur je ministër i jashtëm si zonja Gërvalla, nëse Kurti s’e di, Gërvalla duhet t’ia shpjegojë. Nëse shkon pesë herë në Greqi duhet të shkosh katër ose pesë herë edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në Bullgari”, ka thënë Hoxhaj për “Tëvë1”.

Ai ka theksuar se nuk pret njohje nga Greqia, pavarësisht raporteve me Qeverinë e Kosovës.

“Unë kam parë disa veprime të cilat tregojnë që kolegët që janë në qeveri nuk e njohin as protokollin diplomatik, as kurthet e vogla. Po, i shoh me simpati raportet me Greqinë, por nuk pres njohje. Njëjtë nuk pres njohje edhe me Qipron, njëjtë nuk pres edhe me Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në parim janë vetëm 90 minuta larg finales së madhe…