Hoxhaj: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën

11 maj 2018 | 11:11

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ekziston një plan kohor për fazën e fundit të dialogut me Serbinë.

Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temën “Cila është e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ku ka marrë pjesë edhe Çedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë, Hoxhaj ka thënë se ka disa parime se si do të duket faza e fundit e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Më tutje, Hoxhaj ka përmendur tri kontekste të cilat sipas tij janë pjesë e perspektivës evropiane në mes Kosovës- Serbisë.

“Konteksti i parë është i brendshëm. Ne jemi në kërkim e sipër të konsensusi politik rreth dialogut. Nëse ulemi në një tavolinë të gjithë subjektet politike nuk do të thotë që është arritur konsensusi, por që jemi në kërkim të tij. Gjatë negociatave në Vjenë kemi menduar se duke integrua komunitetin serb në jetën tonë politike Serbia do të jetë më e gatshme ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, por kjo nuk ka ndodhur”.

“Konteksti tjetër është ai rajonal, ku rajoni nuk ka qenë asnjëherë më pozitiv se sa është tash në këtë vit. Viti 2013 ka qenë viti kur ka pasur mendim pozitiv për rajonin. Nga janari 2018 ne kemi një kontekst rajonal ku Maqedonia me Athinën duan ta zgjidhin çështjen rreth ermit, Shqipëria të zgjidhë çështjen detare me Greqinë dhe Kosova ta zgjidh çështjen e njohjes së pavarësisë nga Serbia. Konteksti tjetër është ai global ku në dhjetë vitet e fundit, rajoni është shndërruar në një shah gjeopolitik në mes të Perëndimit dhe Rusisë. Rusia ka një lexim krejt tjetër sa i takon rajonit, në interes të saj do të ishte që rajoni të mbetet ene në ‘status quo’”, ka thënë Hoxhaj.

Krejt në fund, Hoxhaj ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Ai ka thënë anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk është në dorën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Madje, ai ka thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) pa e njohur Kosovën

“Por të mendohet që Serbia të jetë garanci që Kosova të anëtarësohet në OKB siç po flet presidenti Vuçiq, kjo nuk është letër që Vuçiqi e ka në dorë, këtë letër e kanë në dorë të tjerët. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën”, ka thënë Hoxhaj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK) e ka…