Hoxhaj: Studentët, përfituesit më të mëdhenj të liberalizimit të vizave

26 shkurt 2018 | 17:01

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në përvjetorin e nëntë të themelimit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, njëherësh 55-vjetori i hapjes së Shkollës së Lartë Pedagogjike.

Hoxhaj ka thënë se Universiteti i Prizrenit, rritja dhe profilizimi i tij tregojnë qartë se vendimi i marrë në vitin 2009, për themelimin e këtij universiteti ka qenë i drejtë dhe i qëlluar.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka folur edhe për aktualitetin politik në Kosovë, duke thënë se me përmbylljen e temës së demarkacionit të mërkurën, do t’i hapet rruga lëvizjes së lirë përmes liberalizimit të vizave.

Ai ka thënë se pjesa e shoqërisë që do të përfitojë më së shumti nga liberalizimi i vizave do të jenë të rinjtë, e sidomos studentët të cilët do të kenë mundësi të dalin, të studiojnë dhe ta shohin botën, dhe pastaj t’i aplikojnë njohuritë e tyre për zhvillimin e vendit tonë.

“Përmbyllja e demarkacionit këto ditë, do t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk kam dyshim se përfituesit më të mëdhenj do të jenë të rinjtë, të cilët do të kenë mundësi të dalin ta shohin botën, të studiojnë dhe të kthehen për t’i aplikuar njohuritë e tyre në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve.

Hoxhaj ka folur edhe për dekadën e dytë të shtetësisë së Kosovës, ku theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke shtuar se kjo varet shumë edhe nga angazhimi dhe puna në cilësinë e arsimit dhe universiteteve që kemi.

Hoxhaj ka shprehur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për Universitetin e Prizrenit, dhe është zotuar se do të angazhohen për cilësi më të madhe që universitetet e Kosovës të jenë konkurruese me universitetet evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”…