Hoxhaj: Veseli nuk ia premtoi Haradinajt votat e PDK-së për president

09 dhjetor 2020 | 22:04

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli nuk ia ka premtuar Ramush Haradinajt votat e PDK-së për president.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, tha se nëse Veseli do të kishte dhënë një premtim të tillë, atëherë çështja e presidentit do të ishte temë e mbyllur.

“E vërteta është që Kadri Veseli asnjëherë nuk i ka premtuar Ramush Haradinajt që do të mund ta kishte mbështetjen e PDK-së për t’u bërë president. Po të kishte një premtim nga [Kadri] Veseli, ne nuk do ta kishim fare këtë temë. Do të ishte temë e mbyllur, sepse vendimet që i ka marrë Kadri Veseli, apo Hashim Thaçi në të kaluarën, ne si deputetë të PDK-së asnjëherë nuk i kemi vendosur në pikëpyetje”.

Hoxhaj ka konfirmuar se ishte planifikuar të mbahej një takim me liderët e koalicionit qeverisës në ditën kur Kadri Veseli udhëtoi drejt Hagës, por ka shtuar se kryetari i atëhershëm i PDK-së do ta kishte shpalosur po këtë qëndrim që e ka sot PDK-ja për postin e presidentit.

“Është e vërtetë që ka pasë të ndodhë një takim, por qëndrimin që do ta thonte Kadri Veseli në atë takim është qëndrimi që po e them unë. Po të kishte premtim nga Kadri Veseli, PDK-ja do ta votonte, por një premtim i tillë nuk ka ndodhur. Partnerët e koalicionit dhe Ramush Haradinaj duhet ta kuptojnë që PDK-ja mbetet në opozitë. Ne nuk po kërkojmë që ta determinojmë mënyrën dhe emrin e zgjedhjes së presidentit, por nëse këta kërkojnë votat tona, atëherë mendojmë që duhet ta kemi të drejtën e propozimit tonë. Më së paku mund ta votojmë një kandidat që vjen nga një parti politike si AAK-ja, që aktualisht sipas sondazheve mund t’i ketë rreth 6 për qind, pra nuk mund ta reflektojë unitetin e popullit”.

Ai ka insistuar se është temë e mbyllur që PDK-ja mund ta votojë një kandidat për president që nuk është propozim i partisë që ai e drejton aktualisht.

“Jo vetëm në raport me Ramush Haradinajn. Është temë e mbyllur për PDK-në që nëse partnerët e koalicionit kërkojnë votë nga PDK-ja për një kandidat të tyre, ne nuk do ta votojmë asnjë kandidat të LDK-së, Nismës, apo AAK-së. Nëse do të ketë takim mes partive politike parlamentare që të bisedojmë, ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë. Në takim shkojmë me qëndrimin që partnerët e koalicionit janë palë dhe duhet të kenë qëndrime të përbashkëta dhe qëllime të përbashkëta. Nuk është detyrë e jona, si PDK, që t’i harmonizojmë qëndrimet e tyre”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spitalet në Mbretëri të Bashkuar kanë filluar t’ua japin njerëzve…