Biblioteka Kombëtare e Kosovës mohon dyshimet për keqpërdorim

26 prill 2022 | 17:15

Javën e kaluar, me datë 22 prill, gazeta “Epoka e re” ka publikuar artikullin “Dyshimeve për keqpërdorim, s’u përgjigjen zyrtarët e Bibliotekës Kombëtare”. Më poshtë, shkrimi i plotë i javës së kaluar i gazetës, reagimi i sotëm i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” për të njëjtin artikull dhe sqarimi i gazetës.

Faton Dermaku

Ka një muaj kohë që redaksia e gazetës “Epoka e re” i ka dërguar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” kërkesë për qasje në dokumente publike për lëndën “Botimi i materialeve për nevoja të BKK-së”, me numër të prokurimit 90900-21-9083-2-3-6, të publikuar në KRPP me datë 07.12.2021 dhe ende nuk i është lejuar qasja në këtë lëndë, për të cilën dyshohet se ka keqpërdorim.

Rastin për keqpërdorim të kësaj lënde në gazetën “Epoka e re” e kanë paraqitur operatorët ekonomikë të cilët për këtë lëndë i kanë dhënë ofertë Bibliotekës Kombëtare, por kontrata është nënshkruar me një operator tjetër ekonomik që ka ofruar çmim më të ulët. Por, operatorët ekonomikë konkurrentë janë ankuar se me rastin e shpalljes së kësaj lënde nga biblioteka për  “Botimin e materialeve për nevoja të BKK-së” në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) është bërë mashtrim. Mashtrimi, sipas tyre, ka ndodhur me rastin e botimit të librit “Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”.

Për këtë libër zyra e prokurimit e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës, me rastin e publikimit të lëndës në KRPP, ka dhënë këto specifika për shtypin e librit “Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”: “Shtypi i librit Formati B5, faqe 465-490; Kopertina: shtypi me ngjyra (color) në letër konzdrukt Mat 350 gr. me platifikim Mat; Brendia: shtypi b/z në letër ‘shamoa’80 gr; Lidhja e fortë me qepje me penj; Shtypi i mbështjellësit të librit në konzdrukt Mat 160 gr. kolor dhe logoja e shtypur në “Termo shtyp” me ngjyrë ari; Lidhja e fortë me rikne harkore e cila mbanë harkun të fortë; Kapitali dhe shiriti ndarës”.

Gazeta “Epoka e re” ka siguruar një kopje elektronike të këtij libri, i cili është i madhësisë B5, mirëpo ka vetëm 399 faqe, që i bie se një ekzemplar ka 65-90 faqe më pak sesa paraqitet në shpalljen në KRPP, kurse në total, për 500 ekzemplarë sa ka qenë njoftimi për shtyp nga biblioteka, ka 32 500-45 000 faqe më pak.

Një operator ekonomik, i cili ka dashur të mbetet anonim, për gazetën “Epoka e re” është shprehur: “Po të jepte biblioteka informacion të saktë për botimin e atij libri, edhe për materialet e tjera, do të ofronim çmim edhe më të ulët sesa që ka ofruar operatori ekonomik me të cilin biblioteka e ka nënshkruar kontratën. Thjesht, jemi mashtruar dhe për këto raste zyrtarët e prokurimit dhe ata zyrtarë që i kanë përgatitur paramasat e lëndës duhet të japin përgjegjësi. Këtë lëndë duhet ta hetojnë krimet ekonomike. Ne në këtë rast shohim favorizim të operatorit fitues ekonomik”.

Pasi ka marrë këtë ankesë, gazeta “Epoka e re” ka kërkuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” qasje në dokumentet publike të saj dhe në Departamentin e Pasurimit, për të vërtetuar sa faqe ka libri “Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”. Një muaj më parë bibliotekës nga gazeta i është dërguar kjo letër: “Të nderuar, dosjen që na keni dërguar e kemi parë në shpalljen e KRPP-së që disa muaj. Ne nuk kemi shprehur interesim për këtë dosje, se nuk kemi pasur ndër mend të ofrojmë këtë shërbim për bibliotekë. Ne e kemi kërkuar dosjen e operatorit ekonomik që i është dhënë kontrata nga Biblioteka Kombëtare. Duam të dimë sa ka kushtuar shtypi ‘Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri’, sa ekzemplarë janë shtypur dhe ku janë ata ekzemplarë. Nuk po e gjejmë asnjë askund. Janë shtypur apo nuk janë shtypur? I është bërë pagesa për 500 ekzemplarë sa shkruan në dosje apo për sa? Na duhet fatura e operatorit ekonomik.

Ju bëjmë me dije se në javën e kaluar këtë libër e kemi kërkuar në Bibliotekën Kombëtare, tek informacioni. Nuk e kemi gjetur aty. E kemi kërkuar edhe në Departamentin e Pasurimit. S’e kemi gjetur as aty. Zyrtarët e kësaj zyre na kanë njoftuar se ende s’i keni dorëzuar ekzemplarët e obligueshëm ani pse aty i keni marrë cipin dhe barkodin për këtë libër. Dmth., vetë biblioteka nuk ka respektuar Ligjin për Veprimtari Botuese dhe Libër.

Më tutje, në dosjen që na keni dërguar dje, të cilën e kemi që disa muaj, i keni njoftuar operatorët ekonomikë se ‘Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri’ ka 465-490 faqe të formatit B5. I njëjti libër që kemi marrë në formatin pdf ka 399 faqe. Meqë këtë libër nuk po e gjejmë askund në treg, as në bibliotekën tuaj, kërkojmë nga ju ta shohim edhe kopjen fizike. Kemi pasur ankesa nga operatorët ekonomikë se Zyra e Prokurimit e Bibliotekës Kombëtare nuk ka dhënë përshkrime të sakta për këtë libër dhe për disa materiale të tjera të cilat i ka shtypur operatori ekonomik.

Ju lutemi, na dërgoni dosjen e nënshkruar me operatorin ekonomik dhe na lejoni qasje në Departamentin e Pasurimit për t’i parë të 500 ekzemplarët e librit për familjen Jashari që keni shtypur. Kërkojmë, gjithashtu, qasje në Departamentin e Pasurimit, të Katalogimit dhe të Informacionit konkretisht për botimin e këtij libri”.

Pas heshtjes së zyrtarëve të saj, gazeta “Epoka e re” tri javë më parë nëpërmjet telefonit ka kontaktuar me asistenten e drejtorit të bibliotekës, Fazli Gajraku, e cila ka thënë: “Kërkesën tuaj e kemi marrë. Veç kini durim dhe prisni”. Ende asnjë përgjigje tjetër prej saj.

“Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”, i përgatitur dhe i botuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe i pajisur me cip dhe barkod po nga kjo bibliotekë, nuk gjendet as në Departamentin e Pasurimit, në të cilin një muaj më parë kemi qenë dhe e kemi kërkuar. Nuk gjendet as në uebaqen e Bibliotekës Kombëtare www.biblioteka-ks.org. Ky libër, edhe pse është promovuar më 28 nëntor 2021 në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nuk gjendet brenda këtij institucioni. Në ditën e përurimit të këtij libri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, i cili është edhe kryeredaktor i këtij libri, ka thënë se njëqind ekzemplarë të këtij libri do t’i dhurohen familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, por familjes së tij i është dhënë vetëm një ekzemplar. Pavarësisht prej përpjekjeve tona, për t’i parë 500 ekzemplarët që Biblioteka Kombëtare ia ka paguar operatorit ekonomik, nuk kemi gjetur asnjë ekzemplar në këtë objekt. Informacionet për shtypin e këtij libri biblioteka po i mban fshehtë.

Ndërkohë kemi marrë vesh se për këtë libër janë paralajmëruar edhe padi nga botues dhe gazetarë për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila ka skanuar shkrime të gazetave dhe të artikujve të gazetarëve, të historianëve, të publicistëve pa marrë prej tyre të drejtën për botim ashtu siç parashihet në Ligjin nr. 04/l-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Gazeta “Epoka e re” do ta hulumtojë edhe më tutje këtë rast. Të hënën për këtë rast do t’i paraqitet Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Departamentit për Qasje në Dokumente Publike, e cila mund të marrë masa ndëshkuese për bibliotekën sipas Ligjit nr. 06/l-081 për Qasje në Dokumente Publike. Në nenin 27 të këtij ligji, në lëndën “Dispozitat ndëshkimore”, shkruhet: “1. Institucioni publik i cili në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, i pamundëson, pengon ose kufizon realizimin e të drejtave në qasje në dokumente publike dhe informata, dënohet me gjobë prej pesë mijë (5.000) deri dhjetë mijë (10.000) euro”. Në këtë ligj parashihen dënime edhe për personin përgjegjës të institucionit publik. Ndër të tjera, edhe për  personin fizik i cili e dëmton, e shkatërron, e fshehë ose në ndonjë tjetër mënyrë ose formë e bën të paqartë informatën. Gjithashtu, në javën e ardhshme do të kontaktojmë edhe me Këshillin Drejtues të Bibliotekës Kombëtare dhe me zyrtarët e Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës.

Reagimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Reagim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ndaj shkrimit “Dyshimeve për keqpërdorim, s’u përgjigjen zyrtarët e Bibliotekës Kombëtare” të gazetës/portalit Epoka e Re, me autor Faton Dermaku, i publikuar në linkun: https://www.epokaere.com/https-www-epokaere-com-wp-admin-post-phppost582432actionedit/, më 22 prill 2022 në orën 13:22

Biblioteka Kombëtare e Kosovës vijon të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë institucionale, duke ndjekur dhe ruajtur raporte korrekte dhe në frymën e bashkëpunimit me të gjitha mediet në Kosovë, më këtë rast edhe me Gazetën Epoka e Re, dhe, gjithashtu duke respektuar në plotni ligjet dhe aktet nënligjore.

Pa dashjen tonë, për hir të opinionit publik, obligohemi të reagojmë ndaj këtij shkrimi dashakeqës, me pretendim dhe të porositur.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, shkrimin e gazetës Epoka e Re dhe të gazetarit Faton Dermaku e konsideron shkrim shpifës, të pavërtetë, e me tendencë, të cilin do ta adresojë në organet kompetente për trajtim meritor.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pranuar një kërkesë nga z. Mal Qorraj – kryeredaktor i gazetës së përditshme “Epoka e Re”, për qasje në dokumente publike, përkatësisht në lëndën: “Botimi i materialeve për nevoja të BKK-së”, me numër të prokurimit 90900-21-9083-2-3-6, të publikuar në KRPP me datë 07.12.2021.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, përkatësisht njësia e Personelit/Zyra ligjore, brenda aftit ligjor, ka përgatitur vendimin. Ky vendim, përmes komunikimit elektronik, i është dërguar kryeredaktorit z. Mal Qorraj dhe është njoftuar se i lejohet qasja në dokumente zyrtare. Po ashtu, është kërkuar të specifikohet se cilat dokumente po i nevojiten.

Mal Qorraj e ka kërkuar Dosjen e tenderit, e cila i është dërguar nga BKK përmes komunikimit elektronik.

Më pas, vjen një e-mail tjetër nga z. Mal Qorraj. Për BKK-në ky e-mail më shumë ishte me komente e akuza, që nuk qëndronin e as nuk qëndrojnë, sesa kërkesë për të evidentuar dokumentet që i duheshin.

Mandej botohet shkrimi: “Dyshimeve për keqpërdorim, s’u përgjigjen zyrtarët e Bibliotekës Kombëtare”, për të cilin shkrim detyrohemi të paraqesim këtë reagim.

Për dijeninë e publikut, Biblioteka Kombëtare e Kosovës asnjëherë nuk është kontaktuar nga autori i këtij shkrimi, z. Faton Dermaku.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës brenda afateve ligjore, si në të gjitha rastet, edhe këtë herë do ta përfundojë procesin për qasje në dokumente zyrtare të nisur nga Epoka e Re.

Për procedurën e prokurimit të cilës i referoheni: “Botimi i materialeve për nevoja të BKK-së”, me numër të prokurimit 90900-21-9083-2-3-6, të publikuar në KRPP me datë 07.12.2021, sipas Zyrës së prokurimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në procedurën e Prokurimit të cilës i referohet gazetari i Gazetës Epoka e Re, z. Faton Dermaku, ofertat e tyre i kanë paraqitur 5 operatorë ekonomikë. Procedura e prokurimit ka qenë e hapur, e gjitha sipas ligjeve të prokurimit. Puna i është dhënë ofertës më të lirë. Nuk ka pasur asnjë ankesë nga operatorët ekonomikë të paraqitur në adresë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, as gjatë Procedurës së prokurimit e as pas Procedurës së prokurimit. Nuk qëndrojnë pretendimet që paraqiten në këtë shkrim. Këtë procedurë Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka kryer në mënyrë të rregullt dhe të plotë, të gjitha përmes sistemit elektronik.

Pagesa është bërë për punët që janë kryer.

Sa i përket botimit: “Libri i Kujtesës: Familja Jashari në dritën e betejës për liri”, më 5 mars 2021, në orën 11:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka organizuar hapjen e Ekspozitës: “Kujtesa e Kosovës: Familja Jashari – në dritën e betejës për liri”. Ekspozita ka qëndruar e hapur deri më 19 mars 2021. Hapjen e ekspozitës dhe Ekspozitën e kanë përcjellë dhe e kanë raportuar shumë medie në Kosovë. Nuk e ka përcjellë e as raportuar Epoka e Re.

Më 28 nëntor 2021, në orën 11:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka promovuar botimin promocional në një ditë të shënuar, me të vetmin qëllim, që në ditën e Flamurit, në ditëlindjen e Komandantit Legjendar – Adem Jashari, të krijohet lidhshmëria e ngjarjeve historike për vendin tonë edhe me botimin/dedikimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Natyrisht e tëra kjo për të respektuar historinë, institucionet, vendin tonë dhe sakrificën e Familjes Jashari.

Promovimin e këtij botimi promocional e kanë përcjellë dhe e kanë raportuar shumë medie në Kosovë. Nuk e ka përcjellë e as raportuar Epoka e Re.

Botimi “Libri i kujtesës: Familja Jashari në dritën e betejës për liri”, është botuar sipas specifikacionit të cilit ju i referoheni, më këtë rast është i pasaktë numri i faqeve të këtij botimi, të cilin e jep gazetari juaj.  Libri ka saktësisht 466 faqe.

Për hir të opinionit publik, për të mos lënë dyshim e për të demantuar informacionin e rrejshëm, jemi të obliguar, përkundër praktikave të Bibliotekës, të publikojmë fotografi nga njëra prej depove të Bibliotekës, të Kontingjentit të librave: “Libri i Kujtesës : Familja Jashari në dritën e betejës për liri”.

Për të sqaruar opinionin publik, botimi “Libri i Kujtesës: Familja Jashari në dritën e betejës për liri”, është me dedikim, botimi shpërndahet falas, botimi do të shpërndahet sipas politikës së Institucionit e që është edhe zotim i bërë publik.

Deri më tani, asnjë kopje nuk është dhuruar, sepse në politikën e Institucionit, 100 kopje së pari do t’i dhurohen Familjes Jashari e mandej do të fillojë rrugëtimi i shpërndarjes së këtij botimi.

Përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, jemi duke e organizuar dhurimin e 100 kopjeve për Familjen Jashari.

Nuk është e vërtetë, siç pretendon gazetari, se një kopje i është dhuruar Familjes Jashari.

Do të sigurohemi që me kohë të jua dërgojmë ftesën për përcjelljen e ceremonisë së dhurimit dhe shpresojmë që Epoka e Re do të raportojë këtë lajm.

Nuk qëndron edhe adresimi juaj për Ligjin nr. 02/l-51 për Veprimtarinë botuese dhe librin dhe shërbimet e brendshme të Bibliotekës. Të gjitha informacionet zyrtare jepen në formë zyrtare, duke respektuar normat ligjore dhe normat e organizmit të brendshëm. Për më tepër, BKK është autoriteti i vetëm që monitoron/adreson respektimin/mosrespektimin e ligjit në fjalë.

Nuk qëndron pretendimi se është marrë informacion nga Departamenti i Pasurimit. Në përgjigjen zyrtare të Departamentit të Pasurimit, askush nuk i ka pyetur për këtë çështje e asnjë zyrtar nuk është përgjigjur për këtë çështje.

Nuk qëndron pretendimi se nuk është respektuar Ligji nr. 04/l-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në të gjitha botimet e saj kujdeset që të respektojë të Drejtën e Autorit sipas ligjeve në fuqi, edhe për këtë botim ka respektuar të Drejtën e autorit dhe aty ku është e aplikueshme ka marrë lejen për të drejtën e botimit.

Sqarim nga gazeta:

Redaksia e gazetës “Epoka e re”, në shkrimin me titull “Dyshimeve për keqpërdorim, s’u përgjigjen zyrtarët e Bibliotekës Kombëtare”, ka shkruar sipas materialeve që ka mbledhur nga palët dhe nga përgjigjet që ka dhënë vetë zyrtarja e Bibliotekës Kombëtare.

“Epoka e re”, për lëndën “Botimi i materialeve për nevoja të BKK-së”, me numër të prokurimit 90900-21-9083-2-3-6, të publikuar në KRPP me datë 07.12.2021, ka kërkuar qasje në dokumente publike nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës për këtë lëndë e cila nuk i është ofruar rreth një muaj siç mund të shihet në letrën e dytë të cilën redaksia ia ka dërguar bibliotekës.

Gazeta ka kërkuar, përpos dosjen e nënshkruar me operatorin ekonomik përfitues, edhe qasje në Departamentin e Pasurimit dhe të Informacionit për t’i parë ekzemplarët e botuar dhe numrin e faqeve të librit. Gazeta, pavarësisht se të njëjtin libër e ka kërkuar fizikisht te Qendra e Informacionit dhe në Departamentin e Pasurimit, ka siguruar vetëm kopjen e këtij libri në pdf, në të cilin janë 399 faqe (shikojeni faksimilen më poshtë). Kopjen fizike të librit, edhe pse e kemi kërkuar nga Biblioteka Kombëtare, nuk na është ofruar nga ky institucion as sot.

Është i pavërtetë mohimi nga Biblioteka Kombëtare se gazetari i “Epokës së re” nuk ka kontaktuar me zyrtarin e bibliotekës. Gazetari ka kontaktuar në këtë numër të telefonit +381 (0)38 249 650 me zyrtarin e Bibliotekës Kombëtare dhe ajo (zonjë apo zonjushë) i është përgjigjur: “Kërkesën tuaj e kemi marrë. Veç kini durim dhe prisni”. Gjithashtu, gazeta ka raportuar saktë se familjes Jashari deri më tash nuk i janë dhënë 100 ekzemplarët e premtuar në ditën e përurimit të librit. Gjithashtu, Biblioteka Kombëtare nuk është në dijeni se për përurimin e këtij libri, të përuruar më 28 nëntor 2021, për të cilën e “ngacmon” gazetën për raportim, ka raportuar drejtpërdrejt (duke e shpërndarë linkun e një agjencie të lajmeve në llogarinë e portalit tonë në “Facebook”). Do të donim që këtë libër ta shohim edhe fizikisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pritur në takim ndihmëssekretaren…