Drejtoria e Kulturës e Prishtinës kishte fytyrë, sot ka maskë

06 korrik 2022 | 18:12

Berat Armagedoni

Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës i publikoi sot rezultatet e përfituesve të fazës së parë. Në dy listat e gjata të përfituesve nuk ka më emra dhe mbiemra të tyre. Nuk ka më emra dhe mbiemra të bizneseve dhe të OJQ-ve. Emrat dhe mbiemrat e tyre Drejtoria e Kulturës i kishte shndërruar në shifra. Kjo komunë në kohën kur udhëhiqej nga Shpend Ahmeti dhe nga ish-drejtorët e Kulturës dallohej për transparencë. Sot transparencë në dy listat e përfituesve nuk shihet askund. Ky veprim, i fshehjes së të dhënave të përfituesve, më tronditë. Nuk më tronditë vetëm mua. I tronditë ata që merren me kulturë ditë dhe natë pa ia bërë një argat as të mirë e as të keq partisë as në sabah, as në aksham. Kishte përkrahur mjaft përfitues. Disa majmë, disa zajft. Disa të tjerëve nuk ua kishte dhënë asnjë kacidhe. E atyre që s’u ka dhënë, Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës ka për detyrë të japë sqarime për mospërkrahjeje të vazhdimësisë së projekteve të tyre që i kanë realizuar në Prishtinë disa vjet me radhë me mbështetje të kësaj drejtorie kur kryetar komune dhe drejtor kulture ishte tjetërkush.

Ata që kurrë s’i kanë mbetur një cent borxh Drejtorisë së Kulturës nuk mund të nëpërkëmbën nga askush. Ata që kanë dhënë donacione me libra për shkollat e Prishtinës nuk mund të përbuzen nga askush. Ata që kanë realizuar projekte të kulturës në Prishtinë kohë të gjatë, edhe me vetëfinancim, edhe pa të, nuk mund të lihen mënjanë nga askush. Ata që i kanë dorëzuar të gjitha raportet dhe i kanë bërë barazimet me kohë në Drejtorinë e Kulturës nuk mund të harrohen nga askush. Ata që kurrë një vërejtjeje nuk kanë marrë nga asnjë zyrtar i kulturës i komunës së Prishtinës nuk mund të ndëshkohen nga askush. Por, se çfarë ka ndodhur me kryetarin e ri, edhe me këtë drejtoreshën e re të Kulturës, edhe me ata anëtarët “profesionistë” të komisionit vlerësues, një Zot e di! Mendja ma thotë, vetëm profesionistë s’kanë qenë. S’kanë pasur asnjë njohuri për veprimtarinë kulturore që disa individë, OJQ dhe biznese kanë realizuar në Prishtinë, pranë hundëve të tyre, ndër vite. As nuk e kanë përcjellë veprimtarinë kulturore, as atë botuese. Po ashtu, mendja ma thotë se, kur politika fut hundët në kulturë, puna bëhet lëmsh. Secila parti, secili anëtar partie, secili i zgjedhur i partisë për “vlerësim profesional”, kur s’ka argumente, me bërryla i përkrah shërbëtorët e partisë dhe e dëmton kulturën dhe interesat e qytetarëve. Këta nuk dinë të vlerësojnë as mirë, as drejt. Kishin dhënë përkrahje tinëzare. U kishin dhënë përkrahje projekteve të individëve, të OJQ-ve e të bizneseve që s’i viziton askush. I kishin përkrahur shumë projekte që s’di kush as kur nisin, as kur bitisen, që s’e thotë kush një fjalë të mirë për to, absolutisht mediet një kronikë dhe një shkrim sado të shkurtër nuk e shkruajnë për to sepse s’kanë çfarë të shkruajnë kur s’i realizojnë publikisht; sepse, ashtu sikurse i marrin paratë tinëz, edhe projektet i realizojnë tinëz. Veç disa dëshmi sa për sy e faqe për mbyllje të projektit i çojnë në Drejtorinë e Kulturës dhe, sërish, me përkrahësit partiakë, fitojnë sërish. Kështu si kanë vlerësuar anëtarët e komisionit vlerësues, po na detyrojnë të shkojmë drejt gjykatës një herë e mos të shkojmë edhe në vitin e ardhshëm!

Një fjalë të fundit mund ta them, se deri në vitin e kaluar transparenca në komunën e Prishtinës kishte fytyrë, sot mbështetja e Drejtorisë së Kulturës ka maskë, të cilën, nëse nuk ia heq komisioni për vlerësimin e ankesave, duhet t’ia heqim nëpërmjet padive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Joan Laporta, president i Barcelonës ka folur për të ardhmen…