“Peshkatari plak dhe tregime të tjera”, libri më i ri shkrimtarit Zymber Elshani

06 korrik 2023 | 11:10

Shtëpia botuese “Koliqi” ka botuar dje librin “Peshkatari plak dhe tregime të tjera” të shkrimtarit të mirënjohur Zymber Elshani.

Më poshtë dy tregime nga ky libër i sapobotuar.

 

ËNDRRA

 

E takoi ujku ariun dhe e pyeti:

– Përse po qan?

Ariu u përgjigj:

– Mbreti ynë, luani, për pak më mbyti me thonj. Nuk di se pse ishte hidhëruar në mua, as pse më sulmoi!

– Tash i tregoj unë atij! – tha ujku dhe u drejtua nga luani.

E rroku me putrat e tij dhe sa s’ia theu kurrizin.

Luani zuri të derdhë lot.

– Ç’ke? – e pyeti qeni luanin.

Luani u përgjigj:

– Ujku më rroku me kthetrat e tij dhe sa s’më theu kurrizin!

– Tash i tregoj unë atij! – tha qeni dhe u drejtua nga ujku.

U sul drejt ujkut dhe e përgjaku të tërin. Ujku zu të derdhë lot.

– Çka ke? – e pyeti macja.

– Qeni më sulmoi. M’i nguli dhëmbët dhe mezi shpëtova!

Macja i tha:

– Tash i tregoj unë atij, – dhe u drejtua kah qeni. E rrëmbeu me putrat e saj dhe e hodhi si një gur në një humnerë.

Qeni zuri të derdhë lot.

– Ç’ke? – e pyeti një mi i fushës. – Përse derdh lot?

– Macja më rrëmbeu me putrat e saj dhe më fërfëlloi në këtë humnerë sikur një leckë!

– Tash i tregoj unë asaj! – tha miu dhe e rroku macen për mustaqe.

E përplasi disa herë për tokë. Macja nga dhimbjet u tkurr e tëra. Kur po bëhej gati të këlthasë: “Mjaft më, të lutëm!”, se si i doli gjumi dhe kur pa se e tërë kjo kishte qenë një ëndërr, u ndie e lehtësuar dhe mori frymë lirshëm.

 

GJAHTARËT E DHËMBËVE TË FILDISHTË

 

Nuk i kishte hetuar Gjahtarët e ardhur.

As armët e tyre që po i mbanin ngjeshur për trupi.

As si po vërtiteshin ta rrethonin.

As çka kishin ndërmend t’i bënin.

As pse po e shikonin me sy të çakërritur.

I vërejti kur armët vollën zjarrin që i flakëroi para sysh. Pabesisht. Për ta lënë pa frymë…

Rënkoi pa e ditur se mund të kishte dhimbje aq të mëdha.

U shalakat, si i marrë mendsh, pa besuar se mund të rrëzohej me gjithë atë peshë e trup të madh që kishte.

Por e tërë kjo ndodhi: toka u trand nga rrëzimi dhe shembja e tij.

Shpendët e shumta të pyllit u trembën kur metali i zjarrtë u fut papritmas në trupin e tij, shpezët e tjera, më të ngathëta, ikën kur shembja trandi drurët ku ata po qëndronin.

Të gjorit Elefant mendja zu t’i turbullohej.

Trupi t’i ligështohej…

Vetëm veshët e mëdhenj, të gjerë, po përpëliteshin ende: ashtu donin të përzinin vdekjen e cila po i futej nga koka.

Këta vesh, të shurdhuar nga krismat që thyen qetësinë e ditës, mezi po shquanin zërat e të ardhurve që, më në fund, u afruan krejt pranë kokës së përgjakur:

“Sharrën, sharrën me zinxhirë silleni! Duhet t’ia copëtojmë kokën! Ç’dhëmbë të çmueshëm paska! Fildish i kulluar!…”

“Ç’është kjo llahtari?!”, mezi arriti ta rrumbullakojë mendimin Elefanti Surlëgjatë.

“Për dhëmbët e mi të bardhë më qëlluan këta të pashpirtë?! Për këta dhëmbë duhet të mbarojë i tëri? Të kenë ata fildishin?… Bardhësinë dhe shkëlqimin e dhëmbëve të mi?… Ah, jetë, jetë e mjerë – skëterrë!… Ç’më gjeti!”

Kur sharra me zinxhirë u lëshua ta copëtojë kokën e Elefantit që i mbante dhëmbët e bardhë prej fildishi, veshët e Elefantit qëndronin të palëvizshëm, më nuk po arrinin të dëgjonin asgjë: as këlthitjen e çjerrë të sharrës, as zërat e ngazëllyera të gjahtarëve të ardhur prej larg…

Në sytë e Elefantit më nuk pati dritë, pasi çdo gjë e mbuloi terri…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi u largua nga Barcelona për shkak të problemeve…