Hyrja e ushtarëve rusë dhe tmerri i të ngujuarve prishtinas në natën e 11 qershorit 1999

10 qershor 2021 | 20:03

Banesa e prishtinases Jehona Lushaku shihte drejt sheshit të tanishëm “Zahir Pajaziti” kur jetonte aty me familjen e saj në vitin 1999.

Por, banimi në qendër nuk ishte aspak i favorshëm në natën e 11 qershorit kur sheshi kryesor i Prishtinës iu futi tmerrin qytetarëve shqiptarë të ngujuar.

Pamja që kishin përpara u mbush me ushtarë rusë dhe artileri të rëndë, duke i bërë ata të pajtoheshin edhe me më të keqen, njofton Klan Kosova.

Lushaku në Info Magazine rrëfeu edhe për gëzimin që përjetuan serbët e Prishtinës në natën e tmerrit të shqiptarëve.

“Nga një heshtje e përgjithshme që kishte kapluar Prishtinën, sepse s’dihej çka do të ndodhte. Nata ishte shumë e trishtueshme pasi që papritmas hynë ushtarakë këmbësorë, por edhe me tanke dhe kamionë. Kishin shenja të Bosnjës, por ishin konvoj rusë. Papritmas u mbush i gjithë sheshi me qytetarë serbë që festonin sikur të ishte ndonjë festë glamuroze e tyre. Për ne që ishim të bllokuar aty ishte e trishtueshme tek shihnim qytetarë që gjuanin me automatikë pa rresht në qiell, madje edhe në banesa ku diheshin se ka banorë shqiptarë. Ne si familje hymë në korridorin e apartamentit tonë dhe i fikëm të gjitha dritat, por gjithë ajo zhurmë dhe festë me muzikë dhe brohoritje ishte ndjenjë e trishtueshme”.

Lushaku tha se si të bllokuar kishin mungesë të informacioneve dhe kjo u shkaktoi edhe më shumë rëndesë psikike.

“Ne s’e dinim se çfarë marrëveshje ishte ajo e Kumanovës pasi ishte nënshkruar dhe nuk e dinte askush epilogun e asaj, nëse ishte në favor të qytetarëve shqiptarë të Kosovës apo të serbëve sepse mungonte informacioni i saktë. Në fakt ne qytetarët e ngujuar kishim mungesë informacioni, por kishte një heshtje. Një ditë më parë serbët kishin filluar t’i paketonin gjërat dhe të barteshin nga Prishtina, sepse ne i shihnim kamionët. Në anën tjetër ishte komandoja e ushtrisë serbe, ngjit me Grandin, që bartnin dokumente dhe i digjnin”.

Lushaku që sot është ligjëruese politike, në atë vit si adoleshente u detyrua të bëhej edhe gazetare.

Ajo mori guximin për të filmuar gjithë ngjarjen e kobshme me kamerën e axhës së saj nga vrimat që ia lejonin roletat e dritareve.

“Po ashtu kemi parë edhe lirimin e të burgosurve të Dubravës. Ata i kishin maltretuar dhe djegur nëpër trup. Më pas i kam gjetur dhe intervistuar ata dhe kam parë se në çfarë mjerimi ishin nga torturat. Disa prej tyre nuk mundën as të flisnin “.

Megjithatë, objektivi i kamerës së saj kapi edhe hyrjen e mëpastajshme të ushtarëve britanikë të NATO-s më 12 qershor që ngjallën shpresat gati të shuara të bashkëkombësve të saj.

“Hyrja e tyre ka qenë absolutisht shkëndija e parë e një ringjalljeje. Prej aty ka filluar një jetë e re. Edhe ora ka filluar të trokasë më ndryshe”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se NATO-ja po i afrohet…