Hyrje në vitin me shumë të panjohura 2024

02 janar 2024 | 10:25

Kosova ka nevojë për vendimmarrje racionale dhe të unifikuar të institucioneve, spektrit politik, shoqërisë civile, ekspertëve dhe medieve. Pra, një unitet veprues dhe jo veprime përçarëse sikurse kemi parë gjatë vitit 2023

BURIM RAMADANI

Një vit i rëndë për t’ia hapur rrugën vitit me shumë të panjohura. Kjo fjali, ndoshta, do të ishte më përshkruesja e vitit 2023 për Kosovën dhe sigurinë e saj nacionale, sikurse edhe për zhvillimet e vendimmarrjen politike e institucionale në Kosovë.

Veriu 2023: Serbia kërcënoi e sulmoi Kosovën, sfidoi NATO-n

Serbia hapi një fazë të re të rrezikimit të sigurisë kombëtare të Kosovës. Më e keqja është se nuk u ndëshkua zyrtarisht as nga NATO dhe as nga BE apo shtetet veç e veç për aktin e agresionit që bëri ndaj Kosovës. Kur më 24 shtator 2023 grupi paramilitar i Serbisë vrau oficerin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, pakkush e besoi se muajt pastaj do të ishin të mjegullt dhe Serbia nuk do të merrte një goditje serioze të botës demokratike. Sidoqoftë, debati nuk mbeti vetëm në Kosovë dhe kjo është pjesë e rëndësishme e të tërës.
Mediet ndërkombëtare e pasqyruan të vërtetën e ndërhyrjes direkte paramiltare të Serbisë brenda Kosovës. Opinioni ndërkombëtar, i tronditur nga lufta e padrejtë e Rusisë në Ukrainë, tashmë e ka të qartë se interesi special i Rusisë është që Ballkani Perëndimor, sikurse edhe rajone të tjera në botë, të përfshihen në konflikte. Kjo do të mund ta sekuenconte fokusimin perëndimor dhe përqendrimin e NATO-s, prandaj Rusia do të ishte në gjendje ta vazhdojë luftën pushtuese ndaj Ukrainës në mënyrë të papenguar.
Sido që të jetë, Kosova, ashtu sikurse edhe ishte paralajmëruar me javë të tëra, nëse jo me muaj e vite, u gjend në përballje serioze të kërcënimit të sigurisë kombëtare. Grupi paramilitar serb ishte organizuar, trajnuar dhe pajisur nga Ushtria e Serbisë dhe struktura e sigurisë serbe. Qëllimi duket të ishte vënia e një korridori të veçantë në veriun e Kosovën, ku serbët e militarizuar do të shpallnin zona të kontrolluara nga “kryengritësit serbë që nuk po mund ta durojnë Kosovën”. Kështu, eventualisht, do të hapej një kapitull i ri i negociimit qoftë në Bruksel apo në kryeqytete të tjera vendimmarrëse, në mënyrë që të gjendej një zgjidhje e re bazuar në realitetin në terren.
Në variantin tjetër, nëse luftimet do të mund të zgjeroheshin në pjesë të ndryshme të veriut të Kosovës dhe nëse KFOR-i do të priste mbështetje shtesë me trupa nga shtetet e NATO-s, skenari duket të ishte që Ushtria e Serbisë të futej brenda territorit të Kosovës me pretekstin “që t’i mbrojë serbët e veriut derisa KFOR-i të jetë në gjendje të operacionalitetit të plotë”.
Ky sigurisht ishte skenar lufte, i përgatitur në qarqet më të larta shtetërore të Serbisë, përfshirë këtu Vuçiqin, Mojsilloviqin, Vuçeviqin, Vulinin e të ngjashëm.
Porse, reagimi profesional i Policisë së Kosovës e nxori Kosovën me faqe të bardhë. Të paktën për kohën që po flasim. Sepse plani i Serbisë duket që mori përgjigje profesionale, prandaj edhe nuk arriti ta kthejë atë në favor të qëllimeve të veta. Megjithatë, situata e sigurisë ka mbetur tejet e kërcënuar në këtë kuptim të sigurisë. Pra, mbeten grupe të armatosura paramilitare që Serbia po i trajnon dhe përgatit për qëllime territoriale.
Sulmi paramilitar i Serbisë më 24 shtator, në fakt, ishte sfidim i drejtpërdrejtë ndaj NATO-s, po ashtu. Sepse territori i Kosovës mbetet edhe më tutje në përgjegjësi finale të sigurisë në duart e NATO-s që nga qershori 1999.

NATO shtoi trupat në Kosovë derisa bota po trazohet

Rritja e numrit të trupave ushtarake të NATO-s në Kosovë tregon domosdoshmërisht shqetësimin serioz që NATO ka për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit. Dhe, kjo ndodhi në fund të shtatorit 2023, derisa më 29 maj 2023 ishin rreth 95 ushtarë të NATO-s që u plagosën dhe u lënduan nga turmat huligane dhe të trajnuara të Serbisë dhe serbëve lokalë në veri. Madje disa prej këtyre ushtarëve (hungarezë dhe italianë) u lënduan rëndë, gjë që do ta përcjellë shëndetin e tyre përjetësisht.
NATO është aleanca më e fuqishme ushtarake në botë dhe këtë e definojnë edhe shtetet kundërshtare të Perëndimit. Por, fakti që NATO është detyruar të rrisë për mbi 1 000 numrin e trupave ushtarake në Kosovë dëshmon dy argumente tepër të rëndësishme.
Së pari, NATO është e vetëdijshme që situata në dhe rreth Kosovës është në prag të shpërthimeve serioze të sigurisë, prandaj ka vendosur me shpejtësi të rrisë numrin e trupave, madje të njësive luftarake.
Së dyti dhe ndërlidhur me të parën, Serbia qartësisht është shteti destabilizues në Ballkan, duke synuar t’i shërbejë edhe në dimensionin më të vrazhdë Rusisë.
Ndërkohë që pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s, është Serbia ajo që ka vazhduar edhe gjatë vitit 2023 të armatoset rëndë me pajisje dhe sisteme armatimi nga Rusia, Kina dhe Irani. Të tri këto shtete që furnizojnë Serbinë me armatim janë shtete kundërshtare të NATO-s, respektivisht të demokracisë. Prandaj, Serbia ka zgjedhur të furnizohet nga Rusia, Kina e Irani, sepse sistemi i pajisjeve, armatimit dhe komunikimit të atyre shteteve është në shpërputhje me standardet e NATO-s. Rrjedhimisht, Serbia dhe strategët e saj të mentoruar nga Rusia po bëjnë përgatitjet luftarake eventuale me pajisje të cilat nuk komunikojnë me NATO. Në një rast të caktuar lufte midis Serbisë dhe ndonjë anëtari rajonal të NATO-s, atëherë pajisjet ruse, kineze e iraniane të Serbisë mund të paraqesin shpërputhje serioze.
Por çfarë po ndodh në rajonin e Ballkanit?
Serbia, Republika Serbe në Bosnjë dhe pushteti aktual në Malin e Zi janë të përbashkuar në qëllimet e tyre të përbashkëta territoriale.
“Të gjithë serbët të jetojnë në një Serbi” është qëllimi territorial që e ka përcjellë Serbinë, të paktën në formë të shkruar që nga Nacertanije e Garashaninit në vitin 1804. Tash ky qëllim ka marrë epitete të ndryshme gjatë periudhave të ndryshme. Ajo njihet edhe si “Serbia e Madhe” (Millosheviqi), “Bota Serbe” (Vuçiqi, Vulini etj.) dhe, së fundmi, “Konfederata e Trojeve Serbe” (kryetarët e parlamenteve në Serbi, Republikën Serbe dhe Mal të Zi).
Rrjedhimisht, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina mbeten caqet kryesore të Serbisë. Normalisht, ajo nuk mund ta sulmojë ndonjërin prej shteteve që tashmë janë anëtare të NATO-s, sikurse Kroacia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Porse, për ato shtete, Serbia ka vazhduar të ndërtojë politika ndërhyrëse, sidomos në Podgoricë dhe në Shkup.
E tërë kjo po ndodh në periudhën kur bota po trazohet, apo veçse është trazuar mjaftueshëm. Lufta pushtuese në Ukrainë dhe shpërthimi i luftës në Lindje të Mesme kanë dhënë argumente të shumta për përzierje të mëdha të shteteve të fuqishme në botë.
Situata në Gadishullin Korean, në ishullin e Tajvanit, avancimi në armatimin e Iranit, situatat e reja në Amerikën Latine, sikurse edhe një seri e madhe e grusht-shteteve në Afrikën Qendrore, kanë dëshmuar se Bota është sot në periudhë kritike, e cila mund të çojë në ndryshime radikale. Dhe, pikërisht ndryshimet radikale në gjeopolitikë është ajo që Serbia po pret, në mënyrë që të ndërmarrë aksione luftarake territoriale. Tekefundit, këtë e tha edhe vetë Vuçiqi pak ditë para zgjedhjeve në Serbi të datës 17 dhjetor 2023.

Konfuziteti rreth Asociacionit

Ndërkohë brenda Kosovës pothuajse i tërë debati gjatë vitit 2023 ishte i ndërlidhur në dy tema: siguria në veri dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Që të dy temat as nuk u definuan mirë dhe as nuk u zgjidhën deri në fund të vitit.
Tema e sigurisë mbetet shqetësim, ndërsa tema e Asociacionit mbetet konfuzitet pothuajse i plotë.
Opinioni publik i Kosovës, më 11 nëntor 2023, për herë të parë pati mundësi të lexojë saktë se çfarë Statuti të Asociacionit ishte hartuar nga ndërmjetësit. Nuk u mohua vërtetësia e publikimit sepse do të ishte marrëzi të mohohej. Por, as nuk u avancua dhe as qartësua pozicioni i institucioneve shtetërore të Kosovës. Të paktën, jo për publikun.
Tashmë konfuziteti nuk mbetet nëse është pranuar apo jo Drafti. Konfuzioni mbetet te rruga përpara që do të ndiqet dhe nëse kjo rrugë do të funksionalizohet para apo pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që pritet të mbahen gjatë vitit 2024 në Kosovë. Institucionalisht, Drafti i dorëzuar nga ndërmjetësit duhet të përcillet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Por, a do të japë opinionin e vet Gjykata Kushtetuese apo do ta konstatojë papranueshmërinë e trajtimit duke u thirrur në aktgjykimin e vitit 2015?
Unë besoj që Gjykata Kushtetuese do të duhej ta trajtojë plotësisht Draftin. Po, po, ky drafti që kam publikuar më 11 nëntor është. Vetëm Gjykata Kushtetuese do të mund të zhbëjë disa pjesë serioze të atij dokumenti që, në thelb, ndikon në ndryshime radikale brenda Kosovës, kryesisht në ndarjen reale të komunitetit serb si i tërë nga sistemi juridik e politik i Kosovës. Në këtë rast, Statuti i Asociacionit do të ridraftohej në përputhje me kornizën kushtetuese që ekziston në Kosovë.
Në rastin e kundërt, pra nëse Gjykata Kushtetuese refuzon ta trajtojë Statutin e Asociacionit duke u thirrur në Aktgjykimin e vitit 2015, atëherë Kosova do të sillet në të njëjtin rreth vicioz edhe për, ndoshta, 10 vjet të ardhshme! Sepse në atë situatë Asociacioni do të mbetej plotësisht çështje politike dhe, si e tillë, do ta ndante e përçante edhe më keq shoqërinë e Kosovës.
Kështu, bazuar në fushat dhe temat e lartpërmendura, domsdoshmërisht Kosova ka nevojë për vendimmarrje racionale dhe të unifikuar të institucioneve, spektrit politik, shoqërisë civile, ekspertëve dhe medieve. Pra, një unitet veprues dhe jo veprime përçarëse sikurse kemi parë gjatë vitit 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik Milazim Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i…