Hyseni: Kurti dhe Osmani përfundimisht po e rikthejnë UNMIK-un në veri

29 maj 2023 | 13:00

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni ka thënë se me veprimet e fundit, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani po e rikthejnë UNMIK-un në veri.

Sipas Hysenit, veprimet e qeverisë në veri janë amatoreske dhe me pasoja të mëdha për vendin.

Hyseni nuk ka hezituar të kritikojë edhe opozitën që sipas tij po shkruan “shkarravina”.

“Sekretari amerikan Blinken përdori, publikisht një gjuhë të cilën nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë kundër veprimeve të Kurtit dhe Osmanit. Ndërkohë që kemi një opozitë, komunikatat e të cilës nuk dallojnë shumë nga shkarravinat e Kurtit dhe Osmanit. T’i kundërvihesh politikës amerikane në Kosovë, madje edhe me një gjuhë vullgare, do të thotë të punosh kundër shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hyseni në “Facebook”.

Postimi i plotë i Hysenit:

Kurti dhe Osmani përfundimisht po e rikthejnë në fuqi Rezolutën 1244 të OKB-se dhe po e riaktivizojnë UNMIK-un në veri të vendit, 15 vjet pas pavarësisë.

Marrëveshja e Ohrit dhe gjendja në veriun e Kosovës, nuk mund te shihen si të ndara. Ato janë të ndërlidhura, si shkak dhe pasojë! Marrëveshja e Ohrit ishte marrëveshje e hartuar nga bashkësia ndërkombëtare për ta penguar degradimin e mëtejmë të Kosovës dhe marrëdhënieve me Serbinë.

Po, çka bëri Kurti gjatë po këtij viti?

Qeveria dhe KM Kurti, për fat të keq edhe me përkrahjen herë eksplicite e herë implicite edhe të opozitës aktuale parlamentare, bëri veprime aventureske në veri, duke filluar me targat. Këto veprime të pamatura politike, u dhanë një alibi Serbisë dhe serbëve në veri për tensionimin e situatës me barrikada dhe tërheqje kolektive nga institucionet shtetërore në të gjitha nivelet, duke përfshirë policinë, prokurorët, gjyqtarët, dhe komplet shërbyesit civilë.

E gjithë kjo, te bashkësia ndërkombëtare ndezi alarmin e përshkallëzimit të mundshëm, deri në konflikt të situatës në veri. Ky ishte edhe momenti kyç kur bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë edhe SHBA-të për fat të keq, bëri tërheqje nga ajo që ishte dialog i përqendruar në njohje të ndërsjellë, në dialog dhe marrëveshje të përkohshme, pa njohje, siç ishte marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje, gjithnjë nëse zbatohet, është e mire si hap i ndërmjetëm, por është larg një marrëveshje të përsosur siç ishte marrëveshja e përqendruar në njohje. Pra, në esencë këtë gjendje e kemi si pasojë e politikave të pamatura të Qeverisë së Kosovës! Natyrisht, Serbia do ta shfrytëzojë çdo hapësirë që Kosova krijon me politika fëminore. Serbia është në mënyrë jetike e interesuar që Kosovën ta mbajë në status-quo dhe ne tension.

Sekretari amerikan Blinken përdori, publikisht një gjuhë të cilën nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë kundër veprimeve të Kurtit dhe Osmanit. Ndërkohë që kemi një opozitë, komunikatat e të cilës nuk dallojnë shumë nga shkarravinat e Kurtit dhe Osmanit.

T’i kundërvihesh politikës amerikane në Kosovë, madje edhe me një gjuhë vullgare, do të thotë të punosh kundër shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i Llapit në futboll ka njoftuar një ditë pas…