
Hyseni takon ambasadorin zviceran, flasin për rrjedhën e dialogut
Koordinatori shtetëror për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka vazhduar takimet me ambasadorët e vendeve perëndimore në Kosovë për t’i njoftuar me rrjedhën e deritashme të dialogut Kosovë-Serbi.
Të premte ai ka takuar ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.
Hyseni ka treguar se me diplomatin zviceran kanë biseduar për rrjedhën e deritashme të dialogut Kosovë-Serbi dhe situatën e përgjithshme në Kosovë.
“Me ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly, gjatë një takimi sot në zyrën time biseduam për rrjedhën e deritashme të dialogut Kosovë-Serbi dhe situatën e përgjithshme në Kosovë. Çmova lartë kontributin e madh të Zvicrës në të gjitha fazat e historisë më të re dhe shtetndërtimit në Kosovë”, ka shkruar Hyseni në profilin e vet në “Facebook”.
Ai ka vlerësuar se kontributi i shtetit zviceran në shtetndërtimin e Kosovës ka qenë shumë i rëndësishëm.
“Zvicra ka dhënë kontribut të çmueshëm në rindërtimin e Kosovës së pasluftës. Ambasadori Kolly, nga ana e tij tha se përkushtimi dhe përkrahja e Zvicrës do të vazhdoj dhe se internimi dhe angazhimi në rajon është i përqendruar”, ka shkruar Hyseni.