Nixha: Liga Unike, sfidë për të gjithë

25 shtator 2020 | 16:13

Një nga personat që ka kontribuar për dekada të tëra në basketbollin e Kosovës është Masar Nixha. Ai ka komentuar krijimin e Ligës Unike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. “Liga Unike është sfidë për të gjithë, sidomos në këtë kohë të pandemisë. Klubet duhet të jenë shumë të përgatitura dhe aspekti financiar do të sfidë për klubet tona. Do të mbetet të shihet se si do të funksionojë”, ka thënë profesor Nixha për faqen zyrtare të FBK-së.

Ish-basketbollisti, ish-trajneri i njohur dhe ish-kryetari i Këshillit Profesional shpreson që Liga do të zgjerohet edhe më shumë. “Besoj se mund të rritet interesimi (Kosovë e Shqipëri), por nëse inkuadrohen edhe shtete të tjera, sidomos ato fqinje, siç është Mali i Zi apo Maqedonia Veriore, interesimi mund të rritet edhe më shumë. Kjo mund ta bëjë edhe më interesante këtë ligë”, ka shtuar Nixha.

Ai shpreh mendimin që lojtarëve të rinj vendorë duhet t’u jepet më shumë hapësirë. “Skuadrat duhet të marrin më së shumti dy lojtarë të huaj dhe në parket të paraqiten me tre basketbollistë vendorë. Lojtarëve të rinj duhet t’u jepet hapësirë dhe mund të përfitojnë nga kjo ligë”, ka thënë profesor Masar Nixha. Në Ligën Unike do të luajnë katër skuadrat më të mira të Kosovës dhe katër më të mirat nga Shqipëria. Kjo ligë pritet të fillojë në fund të muajit tetor. Liga Unike është krijuar në mes të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Leonard Mekaj është rikthyer te KB Ylli. Reprezentuesi i Kombëtares…