Hysni Gucati, në gjendje jo të mirë shëndetësore

09 nëntor 2022 | 12:52

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka njoftuar se gjendja shëndetësore e Hysni Gucatit, i cili është në paraburgim në Hagë, nuk është e mirë dhe se përkeqësimi është pasojë e një intervenimi kirurgjik të komplikuar pas të cilit ishte edhe një intervenim tjetër kirurgjik që zgjati së paku tre orë, të premten e kaluar.

“Mbrëmë, nga familjarë të Hysni Gucatit KMDLNj është informuar se gjendja shëndetësore e Hysni Gucatit nuk është e mirë dhe se përkeqësimi është pasojë e një intervenimi kirurgjik të komplikuar pas të cilit ishte edhe një intervenim tjetër kirurgjik që zgjati së paku tre orë (të premten e kaluar) ndërsa, dje, më datë 8 nëntor 2022 ishte një intervenim më i vogël për shkakun se gjendja shëndetësore nuk po i përmirësohet. Ka temperaturë deri në 40 gradë dhe se ka infektim e që nuk po dihet shkaku”, kështu ka bërë me dije në një njoftim për medie KMDLNj.

Gjithnjë sipas informatës së familjarëve të Hysni Gucatit, atij i është marrë një pjesë e indit për të bërë analizat për shkakun që po prodhon pasoja për shëndetin e Hysni Gucatit sikur që është infeksioni i vazhdueshëm dhe zjarrmi të lartë.

“Familjarët e Hysni Gucatit i kanë deklaruar KMDLNj-së se gjatë dhe pas operacionit nuk u është lejuar vizita, madje as gruas së kryetarit të dënuar të OVL-së së UÇK-së përkundër faktit se kanë kërkuar me këmbëngulje këtë. Gjithashtu, familjarët por edhe mbrojtësi kanë kërkuar të kenë qasje në dosjen shëndetësore përkatësisht ta mësojnë diagnozën e sëmundjes së Gucatit por se nuk i është treguar”, është bërë me dije në njoftimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, pas këtyre refuzimeve dhe duke u thirrur dhe duke besuar se Gjykata Speciale është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë me kërkesë të sigurohet mundësia që me ndihmën e kësaj ministrie , të vizitohet Hysni Gucati gjatë tërë kohës së trajtimit mjekësor, por sipas KMDLNj-së, familjarët nuk janë të kënaqur me premtimet dhe angazhimin nga kjo ministri.

“KMDLNj ka sqaruar familjen e Gucatit se MD-ja nuk ka asnjë qasje e as ndikim në trajtimin e të burgosurve të Gjykatës Speciale dhe se të drejtën ekskluzive për këtë e kanë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit në Gjenevë dhe Avokati i Popullit i Holandës dhe se këto janë adresat ku ata duhet t’i adresojnë shqetësimet për shkelje të drejtave të njeriut të personave të burgosur në Njësinë e Paraburgimit në Hagë , që të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës e që janë më se evidente”, theksohet në njoftimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka treguar se edhe më herët ka informuar opinionin se për shkak të kalkulimeve të Gjykatës Speciale, ndërhyrja kirurgjike te Gucati është bërë me vonesë, “dhe vetëm pasi ishte dënuar thuaja me dënim kapital prej 4.5 vjetëve me burg e që, thuaja ishte përmbushje e kërkesës së Prokurorit të ‘Specializuar ‘që kërkonte dënim maksimal prej 6 vjetëve burg për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn”.

KMDLNj ka theksuar se është shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Hysni Gucatit, Salih Mustafës dhe Jakup Krasniqit duke kërkuar nga organizatat monitoruese (ndërkombëtare) që të ngrenë këto shqetësime si shkelje e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që janë të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në kohën kur Gjykata Speciale, me Rregulloren për trajtimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, përveç Rregullave Evropiane të Burgjeve ka integruar edhe Rregullat e Nelson Mandeles, si standardi më i lartë i trajtimit që parashihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Në rastin konkret këto janë vetëm në letër. Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës, si themelues i Gjykatës Speciale e ka për detyrim që përmes Komisionit për të Drejtat e Njeriut seriozisht të trajtojë këto shqetësime duke i adresuar edhe në një seancë të Kuvendit, si pikë e rendit të ditës apo si temë e veçantë. Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se Kuvendi i Kosovës, Ministria e Drejtësisë apo ndonjë institucion tjetër po ndërhynë në drejtësi por se e kanë detyrim që të interesohen për trajtimin e shtetasve të Kosovës, të burgosur në Njësinë e Paraburgimit në Hagë sikur që kanë për detyrim interesimin për trajtimin e të privuarve nga liria dhe të dënuarve që janë të vendosur në qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese në territorin e Kosovës”, ka njoftuar KMDLNj.

KMDLNj ka theksuar tutje se në rastin e Hysni Gucatit ka shkelja flagrante të të drejtave të njeriut, përkatësisht mosdhënia e shërbimeve shëndetësore me kohë sikur që edhe mosdhënia e mundësive e trajtimit mjekësor jashtë qendrës ku mbahet tani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I akuzuari, Dardan Krivaqa thotë se tani e ndjera, Marigona…