Rekaj: Kur partitë janë vetë shteti, atëherë rrezikohet bërthama e ‘shtetit komb’
“Kosova ende po përpiqet të ndërtojë dhe konsolidojë shtetin e saj”, ndërsa “Shqipëria po përballet me sfidën e ruajtjes dhe mbajtjes së substancës shtetërore dhe kombëtare”.
Në të dy anët e kufirit, klasa politike duket se e ka zëvendësuar interesin kombëtar me interesat partiake, duke e lënë projektin e “shtetit komb” në periferi të agjendës së saj.
Shqetësues është fakti se fryma e Nenit 8 të Kushtetutës së Shqipërisë, që e obligon shtetin shqiptar të mbështesë dhe të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve të tij, sot trajtohet më shumë si një formalitet sesa si një detyrim politik dhe moral. Në praktikë, ai duket i harruar nga partitë që e kanë shndërruar shtetin në instrument pushteti e jo në mekanizëm të mbrojtjes së interesave kombëtare.
Ndërkohë, shqiptarët vazhdojnë të përballen me pasojat e strategjive afatgjata të fqinjëve, të projektuara në dokumente dhe platforma që nga Ilija Garashanini me Naçertaninë, e deri te projektet e Vaso Çubrilloviqit, në krye me Akademinë e Shkencave dhe Kishën, ku hasim dokumente që synojnë jo vetëm dominimin territorial, por edhe dobësimin e vetëdijes kombëtare shqiptare përmes përçarjes, propagandës, dezinformimit dhe krijimit të mosbesimit ndërmjet vetë shqiptarëve.
Ajo që dikur vinte si strategji nga jashtë, sot shpesh ushqehet nga brenda. Përçarja politike, gjuha e urrejtjes, propaganda partiake dhe mungesa e një vizioni kombëtar po bëjnë atë që kundërshtarët historikë nuk mundën ta arrinin me forcë. Partitë politike shqiptare, në vend që të ndërtojnë ura bashkëpunimi kombëtar, po i thellojnë ndasitë, duke e fragmentuar energjinë politike dhe shoqërore të kombit.
Problemi më i madh nuk është vetëm presioni i jashtëm. Problemi qëndron te paaftësia ose mungesa e vullnetit të elitave tona politike për të ndërtuar një strategji të përbashkët kombëtare. Ata që duhej të ishin gardianë të interesit kombëtar, shpesh janë shndërruar në menaxherë të interesave partiake dhe personale. Për pasojë, kombi mbetet pa drejtim të qartë, ndërsa shtetet shqiptare humbin kohë në konflikte të brendshme, rivalitete dhe propagandë të përditshme.
Historia ka dëshmuar se asnjë komb nuk dobësohet vetëm nga armiqtë e jashtëm. Kombet rrënohen kur elitat e tyre harrojnë përgjegjësinë historike dhe e vendosin pushtetin mbi interesin kombëtar. Sot, rreziku më i madh për shqiptarët nuk është vetëm ajo që projektohet në qendrat politike të fqinjëve, por edhe heshtja, indiferenca dhe dështimi i klasës sonë politike për t’iu përgjigjur këtyre sfidave me vizion, unitet dhe përgjegjësi kombëtare.
Autori: Shabi Rekaj, mërgimtar nga Gjermania



