“I doja ëndrrat tek ti, Kosovë!” Flet vajza e dëshmorit që mori rrugën drejt kurbetit

02 janar 2023 | 20:05

“Unë bija jote, Kosovë! I doja ëndrrat tek ti. Në vendin ku i dhashë të gjithë, babain, gjyshin, xhaxhain, tashmë po nis një fillim të ri në gurbet, shkollim e punësim në vend te huaj”.

Kështu fillon postimi i Erza Shehut, vajza e dëshmorit të luftës nga Krusha e Vogël e Prizrenit e cila ka humbur afro 39 familjarë gjatë luftës në Kosovë e cila ka dy muaj që ka lënë vendin.

Mes rreshtave të këtij postimi të saj vërehet se edhe ajo është njëra nga të rinjtë që si pasojë e krizës ekonomike por edhe si shenjë e pakënaqësisë me sistemin e shkollimit ikin nga Kosova drejt një vendi të huaj.

Shehu në një intervistë për Portalin Dukagjini ka treguar se sa e vështirë ka qenë për të si studente e dalluar në fakultetin Juridik të marrë vendimin që të udhëtojë drejt Gjermanisë.

Nga ëndrra që të bëhet avokate në Kosovë, Shehu u bë një vajzë që vendi i iku nga duart.

“Arsyeja që më ka shtyrë të marrë këtë vendim ka qenë papunësia dhe të ardhurat e ulëta që mbizotërojnë në Kosovë”, ka thënë Shehu.

Ajo ndër të tjera është shprehur shumë e mërzitur që është dashur ta lë vendin e saj, pikërisht në atë vend për të cilin ka humbur familjarët.

“Është shumë e vështirë ta lësh vendin, sidomos në këtë familje e cila të gjithë meshkujt e familjes i ka humbur gjatë luftës së fundit ne Kosovë, si babain, xhaxhain, gjyshin, e familjarë nga rrethi i ngushtë, e të ngritesh, të studiosh e të punosh dhe të mbash familje është shumë vështirë edhe duke mos pasur ndihmesë nga vetë shteti me një page ekstrem të ulët”, ka vijuar ajo.

Shehu ka një lutje për Qeverinë, që të bëjë një ndryshim për rininë e Kosovës, pasi sipas saj, kjo rini po u ikën nga duart.

Më poshtë mund ta ndjekni intervistën e plotë.

Dukagjini: Cila është arsyeja që ju ka shtyrë të largoheni nga Kosova?

Shehu: Arsyeja e cila më ka shtyre të lë Kosoven ka qenë papunësia dhe rrogat e ulëta të cilat mbizotërojne në vendin tonë.

Keni humbur familjarë gjatë luftës, a nuk ka qenë ky vend i mjaftueshëm për të ju përmbushur si një studente e dalluar e Juridikut?

Shehu: Unë e kam humbur Babain, Gjyshin, Xhaxhain ndërsa familjarë nga rrethi i ngushte kam humbur gjithsej 39. Kam qenë e zonja në fushën time të studimeve, por kushtet jo të mira më sollën në rrugët e gurbetit.

Si pjesëtare e një familje dëshmorësh a është e dhimbshme të lihet vendi, a nuk keni parë ndonjë perspektivë në këtë vend?

Shehu: Unë jam pasardhese e vetme e familjes dhe ka qenë vendim shumë i vështirë për t’u marrë, por duke parë që gjërat nuk po shkojnë asgjëkundi mendova se ky është vendimi më i drejtë.

Cilat kanë qenë ëndrrat e tua në Kosovë?

Shehu: Kam pasur shumë ëndrra në Kosovë, të isha një avokate e zonja dhe pse jo te vazhdoja studimet e masterit dhe jurispudencës.

Çka do të vazhdoni të studioni në Gjermani?

Shehu: Do të vazhdoj të studioj për drejtimin të cilin e fillova në Kosovë, besoj që shumë shpejt do të regjistrohem edhe në fakultet këto muaj deri sa të ambientohem pak.

Cilat janë mesazhet e tua për të rinjtë të cilët nuk shohin ndonjë infrastrukturë ekonomike në Kosovë dhe duan ta lënë vendin?

Shehu: E lus qeverinë e Kosovës, të bëjnë një ndryshim përndryshe rinia po u ikë nga duart.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një variant i ri i Covid-it ka nisur të shqetësojë…