I jepet lamtumira e fundit ish-presidentit të Egjiptit

18 qershor 2019 | 11:03

Presidenti i përmbysur i Egjiptit, Muhammad Morsi është varrosur në Kajro, një ditë pasi ka vdekur në një dhomë gjyqi nga siç është thënë sulmi në zemër.

Familja e Morsit ka marrë pjesë në funeralin e xhamisë së burgut Tora.

Ai më pas është varrosur në qarkun Nasr të Kajros.

Djali i Morsit, Ahmed, nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka thënë se agjencitë e sigurisë nuk kanë lejuar që Morsi të varroset në varrezën familjare, në vendlindjen e tij në provincën Sharkia.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka kërkuar hetime “të paanshme, të plota dhe transparente” të rrethanave të vdekjes së Morsit.

Morsi po ndiqte një seancë të gjyqit në Kajro, në lidhje me akuzat për spiunim, kur ka ndërruar jetë.

Ai ka qenë figurë e lartë në lëvizjen islamiste Vëllazëria Myslimane, e cila tani është e ndaluar.

Atë e ka përmbysur nga pushteti ushtria e Egjiptit në vitin 2013, pas protestave masive kundër tij, të cilat kanë shpërthyer një vit pasi Morsi ka marrë detyrën si lideri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Që atëherë, Morsi ka qenë në paraburgim.

Pas largimit nga pushteti, autoritetet egjiptiane kanë nisur përndjekjen e mbështetësve të tij dhe të Vëllazërisë Myslimane. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besimi i rusëve në presidentin e tyre, Vladimir Putin, ka…