I mbijetoi tërmetit, lind në Kosovë fëmijën e saj

02 dhjetor 2019 | 21:56

Në Kosovë u strehuan shumë familje nga Shqipëria pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. E në Spitalin e Pejës, një grua e strehuar në këtë qytet, solli në jetë një foshnje, përmes lindjes së parakohshme. Gjendja e nënës dhe vajzës së sapolindur është e mirë. Ndërkaq, në këtë spital është edhe një tjetër e strehuar shtatzënë që po mbahet nën kontroll mjekësor.

Foshnja e sapolindur është një vajzë, prindërit e së cilës u detyruan të vijnë në Kosovë, pas tërmetit që goditi Shqipërinë javën e kaluar.

Nëna e saj, Romina Radonshiqi, thotë se në orët e para ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe se është befasuar me trajtimin që i është bërë nga reparti i gjinekologjisë, në Spitalin e Pejës.

“Unë sapo isha futur në muajin e nëntë të shtatzënisë. Nga shqetësimi dhe stresi bëra një lindje të parakohshme në Spitalin e Pejës. Në momentin kur e kuptova se kishte ardhur koha për të lindur isha pak e stresuar me dyshimin se ndoshta nuk do të më ofrohet ndihma për shkak se unë isha shtetase e Shqipërisë dhe jo e Kosovës. Jam surprizuar nga mikpritja që më kanë bërë stafi mjekësor”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Romina Radonshiqi.

Doktori Mazllum Smajli thotë se foshnja e lindur para kohe por dhe nëna janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ka lindur pak para kohe dhe kjo sigurisht ka ndodhur për shkak të ngjarjes tragjike që ka përjetuar në Durrës. Fëmija ka një peshë pak të vogël, por edhe foshnja edhe nëna për momentin kanë shëndet të mirë dhe janë nën kujdesin e stafit mjekësor”, deklaroi doktori Mazllum Smajli.

Në Spitalin e Pejës, e shtrirë është edhe Kasandra Jaqe, e cila ndodhet ne muajin e 7 të shtatzënisë thotë se gjendja e saj filloj te përkeqësohej për shkak te traumave te marra.

“Tani jam shumë mirë, pasi kur ra tërmeti në Durrës pësova një traumë i cili edhe shkaktoi dhimbje në shtatzëninë time. Pasi erdha këtu, mjekët e spitalin më ndihmuan shumë dhe po ndjekin gjendjen time shëndetësore”, deklaroi Kasandra Jaqe.

Shumë familje nga Shqipëria, u strehuan në Kosovë pas tërmetit prej 6.4 ballë të riterit, që mori jetët e 51 personave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka arrestuar sot personat me iniciale G.G.…